Mbyllet edicioni i 14-të i festivalit “Etno Fest”
Me shfaqjen “Të Bardhët” të Steven Leigh Moris, në regji të Besim Ugzmajli e me performancat e shkëlqyeshme të Edona Reshitaj e qendrës kulturore “Kaçaniku”, është përmbyllur edicioni i 14-të i “Etno Fest”-it.
Të pranishëm ishin shumë qytetarë nga Prishtina dhe e gjithë Kosova.
Festivali “Etno Fest” zgjati për nëntë net me radhë, duke dhuruar emocion dhe energji të mirë përmes shfaqjeve teatrale, ekspozitave dhe muzikës.
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, përmes një njoftimi, ka falënderuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë organizim.
“I lumtur që kryeqyteti ka mbështetur ‘Etno Fest’-in, një festival që për nëntë net me radhë na dha emocion e energji të mirë përmes shfaqjeve teatrale, ekspozitave dhe muzikës. Andaj falënderoj organizatorët në krye me Fadil Hysajn dhe artistët që pasuruan mbrëmjet e kryeqytetit me kulturë të nivelit të lartë”, shkroi Rama.