Vdekja e Vera Zhejit, Begaj:”Zonja e madhe” e mikrofonit të Radio Tiranës
Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta një ditë më parë (17 gusht) të zërit ikonik të Radio Tiranës, Vera Zheji.
Begaj e cilëson atë si “zonjën e madhe” të mikrofonit dhe skenës shqiptare, ndërsa shton se figura e saj nuk mund të zëvendësohet.
“U nda nga jeta Vera Zheji, zëri ikonik i Radio Tiranës. Një grua që pothuajse është e vështirë që të ketë të ngjashme në cilësinë e gazetares, spikeres dhe gruas me mendje të lirë. Spikere, gazetare, aktore dhe pedagoge e Fjalës Artistike në Institutin e Lartë të Arteve, Vera Zheji do të kujtohet me nderim si “zonja e madhe” e mikrofonit dhe skenës”, shkruan Begaj.
Zëri simbol i Radio Tiranës Vera Zheji u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare.
Në moshën 15-vjeçare, në shkurt të vitit 1948 ajo nisi në mikrofonin e Radio Tiranës të bënte leximin e emisioneve letrare.
Vera Zheji, shumë shpejt u bë një nga zërat më popullor dhe më të njohur në të gjithë Shqipërinë.