Kurti viziton Ulpianën antike: Kjo pasuri paraqet një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë i Perandorit Justinian (527-565) që tregon lidhjen e tij me Dardaninë.
Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike të udhëhequra nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.
Kurti tha se pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë.
Këto simbolika, tha Kryeministri, i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.
“Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë. E kjo pasuri paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj”, ka shkruar mes tjerash Kurti në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kryeministri tha se është miratuar Plani i Menaxhimit dhe është shpallur thirrja për zbatim të këtij plani, përmes së cilit ai tha se synohet funksionalizimi e interpretimi dinjitoz i këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
Ai tha se pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit.
Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë, tha Kurti, mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare.