Kërkesa e RTK-së për pjesëmarrje në Eurovision merr përgjigje negative

Kërkesa e RTK-së për pjesëmarrje në Eurovision merr përgjigje negative

Kultura August 09, 2024 - 11:15

A.Limani


“Pjesëmarrja e RTK-së në Eurovizion 2025 është më afër se kurrë”, kështu kishte deklaruar ish-drejtori i përgjithshëm i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj në javën e parë të qershorit të këtij viti, një javë pasi kishte dërguar kërkesën që Kosova të ftohej në Eurovision.

Kërkesa ishte dërguar në adresën e Martin Osterdahl, mbikëqyrës ekzekutiv i Eurovision Song Contest, duke përdorur si precedent rastin e Australisë, e cila në vitin 2015 ishte e ftuar si mysafire, ndërsa tani është pjesë e garës më të madhe të muzikës evropiane, shkruan Zeri.info.

Ahmetxhekaj ishte shprehur optimist se partneriteti i fuqishëm që ka ndërtuar gjatë dy viteve të fundit me Unionin e Transmetuesve Evropian [EBU], do të sillte një përgjigje pozitive për t’i hapur dyert e Kosovës në Eurovision.

Osterdali në një përgjigje për gazetën “Zëri” e ka bërë të qartë se duhet anëtarësim i plotë i RTK-së, si parakusht për pjesëmarrjen e Kosovës në Eurovision.

“Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në EBU, i cili është një parakusht për pjesëmarrjen në Eurovision Song Contest, më duhet t'ju referoj përsëri në RTK pasi i takon ata të komentojnë procesin e tyre të aplikimit dhe jo mua”, ka thënë Osterdali në një përgjigje për “Zërin”, kur u pyet në lidhje me kërkesën që RTK-ja e ka dërguar në adresën e tij.

“Zëri” ka provuar të marrë një përgjigje në lidhje me këtë edhe nga televizioni publik, por për shkak të zhvillimeve dhe situatës në RTK, Eurovisioni duket se nuk është më prioritet, pasi kanë refuzuar të flasin.

Refuzimi i EBU-së për Kosovën duket se është bërë i qartë në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së e cila u mbajt në fillim të korrikut në Qipro, ku ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë nga Bordi i RTK-së dhe drejtori i përgjithshëm i televizionit, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Ky i fundit, pas dorëheqjes nga pozita e drejtorit të përgjithshëm, tha se EBU-ja ka qenë kundër ndryshimeve të menaxhmentit në RTK, pasi sipas tij, kjo do të ndikonte negativisht në kërkesën që kanë dorëzuar për tu ftuar në Eurovision.

“Shpresoj shumë që ky projekt të finalizohet pavarësisht se Bordi është njoftuar nga EBU-ja se ndryshimet në menaxhment do të mundë të kenë efekt në aplikimin tonë. Pavarësisht gatishmërisë sime që të vazhdoj të ushtroj detyrën deri në finalizimin e procesit, me qëllim që të mos rrezikohet ky projekt madhor, Bordi ka injoruar kërkesën time”, shkroi Ahmetxhekaj.

Pavarësisht refuzimeve, RTK-ja ka dy muaj që ka hapur thirrjen për artistët që duan të marrin pjesë në edicionin e dytë të Festivalit të Këngës, i cili sipas burimeve të “Zërit”, ka rrezik që të mos mbahet këtë vit për shkak të zhvillimeve dramatike që po ndodhin në televizionin publik.

Kujtojmë se Eurovision 2025 do të mbahet në Zvicër, pas fitores në Malmo të Suedisë të këngëtarit zviceran Nemo, me këngën “The Code”. /Zëri