Shtatorja e Skënderbeut mbërrin në Itali

Shtatorja e Skënderbeut mbërrin në Itali

Kultura August 06, 2024 - 17:59

Shtatorja e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka mbërritur në Itali, falë iniciativës së shoqatës ‘Hora e Skënderbeut’.

Kjo shtatore, një dhuratë nga mërgimtarët shqiptarë, iu është dedikuar arbëreshëve në shenjë mirënjohjeje për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbërore për më shumë se pesë shekuj.

Arbëreshët gjithashtu kanë kontribuar gjatë luftës në Kosovë më 1998-1999, duke ofruar ndihmë për kosovarët që ishin detyruar të largoheshin nga forcat serbe.

Vepra e skulptorit nga Prishtina, Gëzim Muriqi, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë në Horën e Arbëreshëvet (Piana degli Albanesi) në Sicili. Inaugurimi i shtatores do të bëhet më 30 gusht 2024, që përkon me datën e themelimit të qytetit, i cili daton nga viti 1488.

Shoqata ‘Hora e Skënderbeut’ ka shprehur falënderimet e saj ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për financimin e transportit dhe ndihmën e stafit të saj në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Një falënderim i veçantë i është drejtuar veprimtarit Qamil Isufi për mbulimin e shpenzimeve shtesë, që siguruan nisjen me kohë të shtatores.

Shoqata falënderon gjithashtu të gjithë mërgimtarët, shoqatat, klubet dhe bizneset që kanë kontribuar me donacione për realizimin e këtij projekti. Pas dy vitesh angazhim, shtatorja ndodhet tashmë në Itali dhe, në bashkëpunim me kryetarin e bashkisë së Horës së Arbëreshëvet, Rosario Petta, do të vendoset në sheshin përballë bashkisë më 30 gusht 2024.

Shoqata u bën thirrje të gjithë të interesuarve që të bëjnë rezervimet e tyre për të marrë pjesë në këtë festë madhështore që pritet të zhvillohet në Sicili.