Konjufca për vdekjen e Ferrit: Veprimtaria e tij e vendosi në mauzoleun e të pavdekshmëve

Konjufca për vdekjen e Ferrit: Veprimtaria e tij e vendosi në mauzoleun e të pavdekshmëve

Kultura June 06, 2024 - 11:55

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është shprehur i pikëlluar nga vdekja e artistit, Rexhep Ferri.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, si dhe ka thënë se veprimtaria e tij e vendosi atë në mauzoleun e të pavdekshmëve.

“Sot me pikëllim të thellë e mora lajmin se ka ndërruar jetë piktori, profesori e akademiku Rexhep Ferri. Ai do t’i mungojë jo vetëm familjes së tij, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të tij që i pati përgjatë një jete të mbushur me krijimtari dhe punë, por do t’u mungojë të gjithëve, sepse vepra e tij që la pas është një thesar i jashtëzakonshëm”, shkroi kryeparlamentari në Facebook.

“Veprimtaria e tij dhe kontributi si profesor dhe krijimtaria e tij e pamatshme si një nga piktorët më të mëdhenj të kombit tonë, e vendosin atë pa asnjë diskutim në mauzoleun e të pavdekshmëve. Është nder që njëra prej pikturave të Rexhep Ferrit gjendet pikërisht në ambientet e Kuvendit tonë. Veprat e tij i mbajmë me krenari. Ajo qëndron me një shkëlqim rrezatues duke na bërë të gjithëve, bashkë me çdo vizitor aty, dëshmitarë të bukurisë frymëzuese”.

“Ngushëllime familjes për humbjen e më të dashurit të tyre! Kujtimi i Rexhep Ferrit do të jetojë përgjithmonë në veprën e tij sublime. Vepra e tij e mrekullueshme do të na shoqërojë përgjithmonë! Shpirti iu prehtë në paqe!”.