Gazeta spanjolle shkruan për Eurovisionin dhe Kosovën, flet edhe Gani Jakupi

Gazeta spanjolle shkruan për Eurovisionin dhe Kosovën, flet edhe Gani Jakupi

Kultura May 15, 2024 - 23:14

Gazeta më e madhe spanjolle “El Periodico” ka shkruar për Kosovën dhe lidhjet kulturore mes Spanjës dhe shtetit të ri të Evropës, të cilin Spanja po heziton ta njohë si të pavarur.

Artikulli i kushtohet Kosovës në aspektin kulturor, por vëmendje i jepet Eurovisionit dhe vetos që Spanja i ka vendosur Kosovës për të marrë pjesë në Festivalin Evropian të Këngës, ndërsa ka folur me ekspertë kosovarë e spanjollë, shkruan Zeri.info.

“Urat mes dy vendeve janë të shumta dhe vënë në pikëpyetje tensionin e lëshuar në vitin 2008 pas pavarësisë së tyre [Kosovës]”, nis artikulli i “El Periodico”-s.

Në lidhje me Eurovisionin, gazeta ka përmendur pesë herët kur këngëtarë nga Kosova kanë performuar në skenën e Eurovisionit bashkë me ata spanjollë dhe për këtë nuk ka pasur asnjë problem, pasi ata kanë përfaqësuar shtete të tjera, por që Spanja nuk u ka vendosur atyre veto.

“Pesë herët që Kosova mori pjesë në Eurovizion dhe Spanja nuk vuri veton”, është titulli i së përditshmes spanjolle, ku përmend pesë artistët nga Kosova që kanë kënduar në Eurovision.

“Kjo do të jetë hera e fundit që mbahet Eurovizioni pa Kosovën”, i ka thënë gazetës redaktori i “Zërit”, Albert Limani, i cili po udhëheq një fushatë tash e disa vite për pranimin e Kosovës në festivalin evropian.

“Vendasit e kanë të qartë: 2025-a do të jetë data e fundit. Dhe, për këtë qëllim, ata kanë nisur një fushatë dhe një peticion, që tashmë ka grumbulluar mbi 11 mijë nënshkrime. Pa harruar që në vitin 2023 ata nisën Festivalin e Këngës në RTK si një parazgjedhje e ardhshme për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre”.

“Ata kanë gjithçka të menduar. Mbetet vetëm që Këshilli i Evropës të pranojë Kosovën si një hap paraprak për anëtarësimin e tij në Unionin Evropian të Transmetuesve [EBU], subjekti përgjegjës për organizimin e konkursit. Një lëvizje që, siç ndodhi në ndeshjet kualifikuese për Kupën e Botës 2022, do ta vendoste Spanjën në një pozicion të diskutueshëm”.

“Ajo që pak e dinë është se, që nga pavarësia e saj nga Serbia në vitin 2008, pesë artistë kosovarë kanë marrë pjesë në konkurs nën flamuj të tjerë. Ndarja e skenës me Blanca Paloman, Miki Núñez, Manel Navarro, El Sueño de Morfeo dhe Rodolfo Chikilicuatre. Vendi ynë, rastësisht, nuk u dha pikë”, shkruan “El Periodico”.

Gazeta cek se në Spanjë artisti më i rëndësishëm kosovar është Petrit Halijaj. Në moshën 38-vjeçare ai e ka çuar punën e tij në të gjithë Evropën, 2020-n e kaluar, në Palacio de Cristal në El Retiro. E mbushi me lule për të reflektuar për shtëpinë, dashurinë dhe kombin. Një univers po aq personal sa ai që kanë zhvilluar në muzikë Rita Ora dhe Era Istrefi. Në këtë nivel, duhet të veçojmë karrierën e Dua Lipës dhe artisti Gani Jakupi, i cili është i angazhuar nga Qeveria për të avancuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Spanjës, thotë se kultura është mjek kryesor i lidhjes mes dy shteteve.

“Më shumë se një mjet i mirë, kultura është mjeti kryesor i lidhjes mes dy vendeve. Gjithmonë jep fryte të mëdha sepse, ndryshe nga pasuria materiale, imponohet pasurimi i ndërsjellë që nënkupton”, thekson Gani Jakupi, artist komik me banim në Barcelonë. Ai është themelues i një prej festivaleve më të njohur të romaneve grafike në Prishtinë dhe si i tillë është i vetëdijshëm për shtojcën: “Kur ka mysafirë spanjollë, interesimi është më i madh”, thotë ai.

Tutje gazeta shkruan se në Kosovë shpresojnë të marrin pjesë në Eurovisionin e vitit 2025. Albert Limani, gazetar i cili udhëheq me fushatën @ESCKosovo, rrëfen përpjekjet që kanë bërë për të arritur këtë qëllim:

“Ne jemi super të interesuar për Eurovision. Dhe ndonjëherë ne nuk e kuptojmë pse Izraeli ose Australia mund të konkurrojnë kur bëhet fjalë për një ngjarje evropiane. Në Kosovë ka entuziazëm të madh, saqë çdo maj mijëra njerëz mblidhen në sheshin e Prishtinës për ta parë atë”, thotë Limani për “El Periodico”.

Ndër propozimet nga Spanja që u kanë pëlqyer më shumë në Kosovë janë përfaqësimet nga Pastora Soler dhe Chanel, të cilat madje janë luajtur në radiot e tyre.

“Do të duhet të shohim se cilat janë tonat, pasi Kosova të hyjë në Eurovision”, përfundon “El Periodico”. /Zëri

Artikulli origjinal KETU