Vazhdojnë punimet për ndërtimin e shtegut të ri për në kalanë e Prizrenit
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se po vazhdojnë punimet në ndërtimin e shtegut të ri, me gurë, që shpie për në kalanë e Prizrenit.
Këtë e ka bërë të ditur Komuna e Prizrenit, përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook.
Tutje thuhet se ky shteg do të nxisë edhe zhvillimin e aktiviteteve turistike dhe kulturore në gjithë zonën e kalasë dhe të nënkalasë.
“Po vazhdojnë punimet në ndërtimin e shtegut të ri, me gurë, që shpie për në kalanë e Prizrenit, dizajni i të cilit është ideuar në harmoni me atmosferën e ambientit përreth, që është një përpjekje për ta ruajtur trashëgiminë kulturore dhe historike të këtij lokaliteti të rëndësishëm turistik të qytetit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, kalaja e Prizrenit në vete përmban një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit dhe e bën këtë qytet me vlerë të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.
Kalaja e Prizrenit është njëra ndër pikat kryesore për turistë vendorë dhe të huaj.