Sonte nënat muzikante interpretojnë për fëmijët e tyre autikë
Një koncert i veçantë është planifikuar të mbahet sonte nga Sihana Badivuku në violinë e Dhurata Lazo në piano.
Dyshja do të dedikojnë koncertin për fëmijët e tyre në kuadër të Javës së Autizmit, teksa mbrëmjen muzikore e kanë quajtur "Nënat për fëmijët e tyre autikë".
Nga programi i kësaj mbrëmjeje do të interpretohen veprat nga kompozitorët L. van Beethoven, Rafet Rudi, Cesar Franck dhe kompozitori Rodion Schedrin.
Përndryshe, Sihana Badiviku mban epitetin si violinistja virtuoze e Kosovës, karriera e së cilës ka depërtuar edhe në festivale të ndryshme ndërkombëtare, ajo është gjithashtu themeluese e festivalit të parë të muzikës klasike "Kosova Kamer-Fest" dhe udhëheq fondacionin muzikor “ArsKosova”.
Kurse Dhurata Lazo është pianiste e lindur në Gjirokastër, njihet si artiste që promovon muzikën klasike shqiptare dhe pianos Faziol.
Koncerti pritet të fillojë nga ora 20:00 në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare.