Në ASHAK mbahet tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”

Në ASHAK mbahet tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”

Kultura April 02, 2024 - 13:45

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, është mbajtur tryeza shkencore “Krijimtaria letrare e Ali Aliut në 90-vjetorin e lindjes”.

Akademik Sabri Hamiti para të pranishmëve ka mbajtur kumtesën “Ali Aliu bashkëkohës”, raporton Zeri.info.

“Ali Aliu është bashkëkohësi ynë: gjithmonë ‘sot’ e gjithmonë ‘këtu’, në vështrimin e një të tashmeje të përhershme; duke u mahitur me kohën si imagjinatë të njëtrajtshmërisë; duke lakuar hapësirën si qerthull të imagjinimit. Në këtë dramatikë të çrëndomtësimit ai është ‘dëshmitar’ imagjinar dhe ‘pjesëmarrës’ ëndërrimtar. I bartur në anijen me vela, lëvizjet e tij tallen me hapësirën e vizituar si rreth që ka një pikë tërheqëse të largimit dhe të përafrimit. Sepse jemi në sojin e shtegtimit nga trupi te shpirti. Nëse nuk është deklaruar vetë Poeta, ai i gjason Poetit, kërkon të njësohet me të nëpërmjet trajtës së bukurisë e të urtisë së poezisë”.

“Na e ka andja që ligjërimin kritik të Ali Aliut, në kuadër të Bioletrës së tij, ta shohim si shkrim të jetës dhe jetë të shkrimit. Prandaj na përshkon një fije lumturie e gjallërimi, po sot në akademinë tonë si klasë të dijes, për të tallur kufijtë e jetesës dhe të mbijetesës në aventurën e leximit të poezisë: nga impresioni kah intencioni”, u tha në këtë tryezë shkencore nga akademiku Sabri Hamiti. /Zëri