Viktimat e luftës flasin në librin “E gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit

Viktimat e luftës flasin në librin “E gjithkohshmja Andërr” të Donika Dabishevcit

Kultura March 11, 2024 - 14:51

Poetja e njohur kosovare, Donika Dabishevci, me anë të krijimtarisë së saj artistike, nderon dhe u bënë homazhe viktimave të luftës.

Libri i saj i ri me poezi “E gjithkohshmja Andërr”, botuar nga Littera, i cili nga sot mund të gjendet në librin, i kushtohet tërësisht fatit të njerëzve të thjeshtë në luftë.

“Është rekuiem poetik për t’vrarët, t’masakruemit, t’dhunuemit, t’gjymtuemit, për t’therrunit e t’djegunit për s’gjalli. Për bebet e fmijtë e ndamë mizorisht prej jete. Për nanat mbetun qyqe n’themele shpijash t’rrënueme. Për nuset me duvak t’zi e shpirtnat e djegun t’jetimave. Për vorret pa emna e eshnat pa vorre…”, thekson Dabishevci, duke rrëfyer po ashtu se ka qenë e vështirë për të që tmerrin e luftës dhe gjithçka që ajo thërrmon e përpin në ingranazhet e saj “me e nyjëtua poetikisht, t’parënduem emocionalisht e t’realizuem artistikisht. Distanca kohore, puna, leximet e rikthimet e shpeshta te çdo njëra prej poezive, besoj, e kanë bërë t’mundun këtë”.

Redaktor i librit, shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Aliu, i cili ka shkruar parathënien e librit, ndër të tjera thotë:

“Poetja e ka aftësinë që skenat, ngjarjet, storiet e rënda, të tmerrshme, të lemerishme, t’i krijojë estetikisht bukur, çfarë është shumë e vështirë, pothuajse e pamundshme. Trajtimi poetik i luftës, kur e njeh luftën, kur e ke përjetuar luftën, kur ende nuk e dimë a e kemi tejkaluar traumën e saj, është ripërjetim, edhe për poeten, edhe për lexuesit. Të futesh në pellgun e gjakut me mjete poetike, letrare, estetike, të dalësh, të rrëfesh, të shpëtosh, të bësh art, është madhështi shpirti. Donika e dëshmon madhështinë shpirtërore e mjeshtërinë letrare me “E gjithkohshmja Andërr””.

Për ballinën dhe dizajnin është kujdesur Arbër Murturi.

Donika Dabishevci (1980) u lind në Prishtinë. Ka studiuar letërsinë shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku ka përfunduar edhe masterin për të vazhduar tutje në Universitetin e Tiranës, ku në vitin 2013 doktoron po në letërsi. Ka botuar librat:

“Krizantema të plasura”, proza poetike, Prishtinë, 1996, “Imazhe të brishta”, poezi, Faik Konica, Prishtinë, 2004, “Proza e poetizuar – F. Konica, M. Frashëri, E. Koliqi, M. Camaj, M. Hanxhari”, studim monografik, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2015,

“Kam me ardhë si deka”, poezi, OM, Prishtinë, 2015, “Dashnisë së nji nate”, poezi, Bard Books, Prishtinë, 2020. Të përkthyer: “La tua robinja” Essemble, Romë, 2017; “Ke stasam kako smrtta”, Rezna, Shkup, 2023 “Mi venos kvazaë la morto”, Kava Pech, Çeki, 2023. Poezitë e saja tashmë janë përkthyer në 11 gjuhë. Ato flasin në antologji të ndryshme poetike në gjuhën angleze, gjermane, frënge, italiane, suedeze, bullgare, rumune, turke, serbe, maqedonase, esperanto.