Trashëgimia kulturore e Kosovës nga sot pa rojtarë, iu ka skaduar kontrata
Foto: Laura Hasani

Trashëgimia kulturore e Kosovës nga sot pa rojtarë, iu ka skaduar kontrata

Kultura February 29, 2024 - 18:14

Disa punonjësve (rojtarë dhe mirëmbajtës) të institucioneve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë nga sot iu kanë skaduar kontratat e punës.

Milot Berisha, udhëheqës i projektit të Ulpianës, njëkohësisht zëvendësues i drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës, për Telegrafin ka thënë se në lidhje me këtë çështje e kanë njoftuar Ministrinë e Kulturës.

“Sot ju ka skaduar kontrata rojeve dhe mirëmbajtësve dhe kërkesa i është dërguar Ministrisë”, ka thënë Berisha.

Edhe zëvendësuesja e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, Vjollca Aliu, ka thënë për Telegrafin se çështja e sigurisë dhe stafit teknik përgjegjës është adresuar në Ministri të Kulturës kohë më parë.“Besoj që e trajtojnë me prioritet. Për çdo veprim të mëtutjeshëm, presim udhëzimet nga Ministria”, tha Aliu.Ndërkaq, Telegrafi ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marrë një përgjigje.