Ndahet nga jeta simboli i valles shqiptare, Liliana Cingu

Ndahet nga jeta simboli i valles shqiptare, Liliana Cingu

Kultura February 05, 2024 - 22:47

Është shuar simboli i valles shqiptare, artistja e famshme, Liliana (Lili) Cingu. Ajo është ndarë nga jeta në moshën 70- vjeçare, derisa për meritat dhe vlerat e saj si një nga yjet skenës shqiptare, ajo është vlerësuar edhe me çmimin e lartë “Nder i Kombit”.

Cingu ka një karrierë të gjatë si valltarja kryesore e Teatrit të Operas dhe Baletit, veçanërisht në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, përkrah emrave të mëdhenj të skenës si Besim Zekthi, Rexhep Çeliku etj., nën koreografinë e mjeshtrit Panajot Kanaçi.

"E trishtë ndarja nga jeta e "Mbretëreshës së valles shqiptare", Lili Cingu. Për vite me radhë, ajo ishte imazhi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, duke u dhënë jetë më shumë se 200 valleve të kërcyera prej saj. Lili Cingu i përket asaj plejade artistësh, që e ngjitën vallen shqipe në skenat më të mëdha të botës, duke treguar një Shqipëri tjetër, me kulturë dhe folklor të pasur. Sallës së provave të Ansamblit do t'i mungojë hapi i saj i lehtë, dhe fjala e saj e ëmbël. Por kjo ikje është vetëm fizike, sepse emri i saj do të jetojë bashkë me Ansamblin, e kudo që të kërcehet vallja shqipe, do të jetë edhe kujtimi i Lili Cingut me publikun që aq shumë e deshi dhe e vlerësoi" shkruan Teatri i Operas dhe Baletit në një postim në Facebook.

E për ndarjen nga jeta të kësaj artiste të shquar ka shkruar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Lamtumirë! Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare. U prehtë në paqe”, ka shkruar Rama.