Tano Banushi, figura emblematike e humorit shqiptar
Athanas Banushi, njohur si Tano Banushi (Shkodër, 4 Shkurt 1927 – 7 gusht 1993) ka qenë një nga aktorët më në zë i humorit shqiptar, ku spikati në gjininë e estradës. Për meritat e tij në këtë lëmë është dekoruar me titullin Artist i Popullit.
Në qershor të 1945 Banushi kreu klasën e shtatë të gjimnazit të shtetit dhe u përfshi në veprimtarinë e Shtëpisë së Artit dhe Kulturës, krijuar pas hyrjes së komunistëve, më 18 janar 1945. Në ditët e fundvitit shkollor, Kompleksi Filarmonik i BRASH-it pranë Liceut Shtetnor paraqitet me dramën “Dje dhe sot” të shkruar nga prof. Filip Ndocaj.
Në këtë dramë, Banushi luajti rolin e Gjinit, shërbëtor i një familjeje shkodrane. Shfaqjet e tjera që u zhvilluan në sallonin e shoqërisë “Vllaznia” ishin si “Klasa e shtatë” dhe “Jak, o Jak”, ku Tanoja u prezantua si humorist, ishin mbase paroditë e para të përdorura për shfaqje variete. Më 1946 luajti rolin e një të dehuri në dramën “Armiku i Popullit” i Ibsenit.
Po atë vit interpretoi në komedinë “Pashuku” të Ndocajt dhe më pas vijoi të përfshihej në veprimtaritë e shumta të klubit “Vasil Shanto” dhe të grupeve artistike të Shtëpisë së Artit e të Kulturës (më vonë Shtëpia e Kulturës dhe e Krijimtarisë Popullore).
Pas një transferimi në Vlorë, u aktivizua edhe në grupet artistike që i drejtonte miku i tij Tish Daija. Pas gati tre vitesh shërbimi ushtarak, në fund të 1949 u emërua korrespondent i Shkodrës për gazetën “Zëri i Popullit”. Pas një kohe kaloi instruktor në Komitetin e Rinisë në sektorin e agjitacion-propagandës dhe u emërua drejtor i Klubit të rinisë “Herojtë e Vigut”, ku ishte organizator kryesor i mbrëmjeve rinore. Aktivizohej si konferencier në shfaqet e estradës së Klubit të punëtorëve “Vasil Shanto” dhe nuk ndërpreu veprimtarinë artistike, qoftë në korin e Shtëpisë së Kulturës, si instrumentist e humorist në Radio-Shkodra dhe si aktor ndër shfaqet teatrale.
Në korrik të 1958 u krijua në Shkodër estrada profesioniste, e përfshirë në kuadrin e teatrit “Migjeni” të porsandërtuar, ku Banushi u emërua aktor profesionist. Më 14 nëntor të po atij viti doli premiera e parë e Estradës së Shkodrës me titullin “Reparti i operacionit të zemrës”, ku Tanoja ishte edhe inspektor skene.
Më 19 shkurt 1959 u shfaq premiera e dytë “Po ta këndoj kangën me saze”, sipas titullit të një kënge shkodrane, libreti u shkrua nga Paulin Sekuj dhe Banushi. Premiera e tretë u dha më 4 qershor të po atij viti, e titulluar “Pastro kopshtin, bahçevan!” Më 1962 estrada nisi turnetë në mbarë Shqipërinë, u dekorua me Urdhërin e Punës të klasit I dhe në njëzet vjetorin e saj më 1978 u dekorua me Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit I
Më 5 shkurt 1986 doli në pension, 4 vjet pasi kishte mbushur moshën e pensionit. Megjithatë, e vijoi veprimtarinë artistike, duke shkruar e botuar edhe skeçe, tregime humoristike e anekdota.
Ndërroi jetë më 7 gusht 1993./kultplus