
Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane, Orkestra e Filarmonisë nis koncertet për vitin 2024
Nën drejtimin e dirigjentes zvicerane Lena-Lisa Wüstendorfer, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës nisi serinë e koncerteve për vitin 2024.
Pianistja e mirënjohur kosovare Pranvera Hoxha u mirëprit për interpretimin me shumë finesë të veprës “Variacione Simfonike” për piano dhe orkestër nga Cesar Franck.
Në bis, Hoxha për publikun luajti “Lirikë Pranverore” nga Simon Gjoni.
Kontrabasisti kosovar, i cili jeton në Zvicër, Shkodran Osmanaj, mahniti të pranishmit me interpretimin e “Koncert për kontrabas” të Serge Koussevitzkyt.
Osmanaj dëshmoi një pjekuri të lartë interpretuese në këtë paraqitje, e cila njëherësh shënoi interpretimin e parë të një koncerti për kontrabas nga Orkestra e Filarmonisë së Kosovës.
Në pjesën e dytë, publiku pati mundësi të shijoj tingujt e Beethovenit me Simfoninë Nr. 7, duke i shtuar një shtresë tjetër shkëlqimi muzikor kësaj mbrëmjeje koncertale.