Kurti kalon pasditen e së dielës me njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës, Pranvera Badivukun
Foto: Facebook

Kurti kalon pasditen e së dielës me njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës, Pranvera Badivukun

Kultura January 14, 2024 - 19:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar , njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës, Pranvera Badivukun.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se Pranvera me shumë emocion fliste për dashurinë dhe disiplinën në punë, si në shkollë ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës.

“Pasditen e së dielës e kaluam me Pranvera Badivukun, njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës. U gëzova shumë që me gjithë moshën, ishte mirë me shëndet dhe e gëzueshme. Për më tepër, na tregoi që nuk i mungon as vullneti për të krijuar”.

Image

“Përherë e këndshme në bisedë dhe mirëkuptuese në kritikë muzikore, Pranvera me shumë emocion fliste për dashurinë dhe disiplinën në punë, si në shkollë ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës. Krijimet e saj vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës”.

“Pranvera Badivuku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë muzikore të Kosovës. Kompozimet e saj janë shpërblyer me pesë “Okarina të arta” në “Akordet e Kosovës” dhe shumë çmime e pjesëmarrje në festivale brenda dhe jashtë vendit. Krijimet e saj janë interpretuar nga emra të mëdhenj të skenës sonë muzikore, nga Nexhmije Pagarusha, Esat Bicurri, Liljana Çavolli, Shpresa Gashi, Bashkim Paçuku, Sebahate Bërlajolli e deri te këngëtarët e brezave më të ri. Vepra e saj “E kujtoj atë takim” e krijuar fiks para 50 vitesh, do të vazhdojë të mbetet himn i këngës shqipe. Edhe takimin e bisedën tonë shumë të ngrohtë sot do t’i kujtojmë përherë. Nga banesa e saj u larguam me urimin për shëndet e jetë të gjatë”, ka shkruar Kurti. /Zëri