
Akademik Nazim Gruda, ndër shkencëtarët më të suksesshëm të Evropës
Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka përgëzuar akademik Nazim Grudën për vlerësimin e marrë si “Investigador distinguido” nga Universiteti Politeknik i Kartagjenas (Spanjë).
Përzgjedhja e akademikut shqiptar vjen pas thirrjes së Ministrisë së Universiteteve të Spanjës, përmes projektit të titulluar “Modernizimi dhe digjitalizimi i sistemit arsimor”, në kuadër të planit të rimëkëmbjes, transformimit dhe reziliencës të shkencës dhe arsimit të lartë, për thithjen e shkencëtarëve më të talentuar nga Evropa.
Kjo përzgjedhje i mundëson akademik Grudës të vijojë studimet dhe bashkëpunimin me UPCT, bashkëpunim ky me një histori disavjeçare, që përfshin projekte kërkimore dhe botime të përbashkëta. Në vitin 2021, ai ishte edhe ligjërues në kuadër të shkëmbimeve Erasmus.
Universiteti Politeknik i Kartagjenas është universiteti teknik më i ri në Spanjë, edhe pse disa nga shkollat e tij u themeluan në fund të shekullit të 19-të dhe fillim të shekullit të 20-të. UPCT është pjesë e shoqatës UP4 së bashku me Politekniken e Madridit, Katalonjës dhe Valencias.
I njohur gjerësisht për studimet e tij në hortikulturë dhe si specialist në substratet bimore, akademik Gruda do të luajë një rol kyç në projektin për zhvillimin e hortikulturës urbane dhe “vertical farming”.
Akademik Gruda është autor i mbi 300 punimeve shkencore, prej të cilave 100 në Scopus dhe renditet si kërkues me punime me një indeks citimi shumë të lartë.
Edhe në vlerësimin e kryer nga ekspertët e Universitetit të Stanfordit në SHBA vitet e fundit ai renditet në 2 % të shkencëtarëve më me ndikim në “World’s Top 2 per cent Scientists”; ndërsa sipas indeksit-h të “Google Scholar” për hortikulturën, në 10 shkencëtarët më të suksesshëm të Evropës. /atsh