Prezantimi i trashëgimisë kulturore në muze të Kalasë së Prizrenit
Foto: Arkiv

Prezantimi i trashëgimisë kulturore në muze të Kalasë së Prizrenit

Kultura December 25, 2023 - 21:48

Vizitorët që shkojnë drejt kalasë së Prizrenit, do ta kenë mundësinë të njihen me trashëgiminë kulturore nga materiali i nxjerrë nga gërmimet arkeologjike në Hisar të Komunës së Suharekës. Ky material është në fazën përfundimtare të përgatitjes së dokumentacionit për botim.

Vizitorët që vijnë në Prizren nga vende të ndryshme të Kosovës apo edhe nga vendet e tjera preferojnë të vizitojnë jo vetëm qytetin, por edhe kalanë.

Vetë kalaja është objekt shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore, por muzeu brenda saj prezanton epokat në miniaturë.

Mirlinda Maloku, në ambientet e muzeut të kalasë shenjëzon artefakte të reja që erdhën nga gërmimet arkeologjike me karakter shpëtimi në Hisar të Suharekës.

"Ky gërmimi i fundit në Hisar na u duk si nga fillimi, ka interesim, ka shumë studentë të arkeologjisë që besoj që janë të interesuar", tha ajo.

Në gërmimet e Hisarit dolën në pah artefaktet e bronzit të mesëm, bronzit të vonë dhe të hekurit, enë të ndryshme të përdorura nga banorët e këtij lokaliteti në atë kohë, që janë në fazën përgatitore të materialit për botim.

"Nga ky gërmim, do arrijmë të krijojmë një koleksion të ri, mbi 60 - 70 artefakte që do vazhdohet edhe në ditët në vazhdim, si dhe plotësohet ajo pasqyrë kronologjike e Hisarit edhe në kontekstin e prezantimit të kulturës materiale. Mendojmë që kultura materiale duhet të gjejë hapësirë në vitrinat e muzeve , në këtë rast ndoshta disa artefakte më të plota më reprezentative do ti prezantojmë edhe në muzeun e kalasë", theksoi Shafi Gashi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.

Arkeologu Gashi tha se për shkak të zhvillimit të shpejtë urbanistik dhe infrastrukturor, gërmimet me karakter shpëtimi janë të shpeshta, ndërsa vitin që vjen pritet të ketë diçka të tillë edhe në Vlashnjë, ku pritet të kalojë rruga Prizren-Tetovë./rtk