
Kurti pjesëmarrës në ekspozitën “Bebëzat e mallit”: Ngjarje të tilla na bëjnë t’i kujtojmë dhimbjet e përjetuara
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka vizituar ekspozitën “Bebëzat e mallit” të fotografit Korab Krasniqi dhe kuratores Vesa Sahatçiu.
Kjo ekspozitë u dedikohet fëmijëve të vrarë, zhdukur e të prekur nga lufta e fundit në Kosovë, raporton Zeri.info.
Krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive.
“Mirënjohje e falënderim për bashkërendimin e përpjekjeve të institucioneve dhe partnerëve tanë që kanë mundësuar realizimin e këtij projekti.
Ngjarje të këtilla, përveçse mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.
Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, u shpreh Kurti. /Zëri