
Doli nga shtypi libri ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë’
Libri më i ri i Blerina Rogova Gaxha flet mbi studimet teoriko-letrare por edhe angazhimin moral e emocional të autores për periudhën e luftës së fundit në Kosovë.
Libri ‘Memorie dhe Traumë: Kujtesa e luftës 1998-1999 në letërsinë shqipe në Kosovë’, është rezultat i një hulumtimi të gjatë, tejet sfidues dhe traumatik. Si përjetuese lufte, ky studim nuk ishte asnjëherë vetëm një hulumtim teoriko-letrar e kulturor, por mbartte në vete një angazhim të thellë moral dhe emocional.
‘Memorie dhe Traumë’ hulumton dhe interpreton transmetimin dhe qarkullimin e memories së luftës e të kujtimeve traumatike në letërsi, me qëllimin e sjelljes së rezultateve që e dëshmojnë peshën e letërsisë si medium i kujtesës kulturore për ta mbajtur gjallë memorien kolektive të luftës.
Lufta në Kosovë ka tronditur themelet e shoqërisë. Lufta dhe paqja do të sillnin pashmangshëm letërsinë post-traumatike, traumën si prani dhe pasojë aktive. Perceptimi traumatik dhe shkrimi bëhen kështu aleatë të perceptimit historik, i cili shkrihet në diskursin dëshmues.
Lufta e ka më se të nevojshme ta ketë kujtesën fiktive, interpretimin shpirtëror dhe emocional që shkon paralelisht me të vërtetën, sepse fuqia e letërsisë për ta mbajtur gjallë memorien kolektive është e jashtëzakonshme. Por cila është përgjigjja e shkrimtarëve ndaj luftës së fundit?

Letërsia e dalë nga mitra e luftës shplon pëlhurën që mbuloi traumën e thellë për ta kthyer në këngë e lament, në dëshmi poetike e në testament letrar. Letrat e kujtesës bëhen storja e madhe e njeriut të këtij vendi, saga nacionale që banohet nga vdekja, fantazmat dhe fuqia e rilindjes nga hiri. Ato i flasin shpirtit të kohës krijuar mbi paradigmën e luftës e të pasluftës, një etnopoetikë që kap kryqëzimin e madh historik dhe atmosferën e epokës së errët të historisë më të re të Kosovës
Lufta nuk ka kujtesë, ajo e eliminon dëshmitarin e vet, po truri poetik mban në mend.
Kujtesa është dera drejt botës të cilën lufta e ka fshirë, rindërtimi i së shkuarës, mbishkrimi i saj. Letërsia rindërton atë çfarë është rrënuar, për të mos e harruar.