Vepra e artistit kosovar mbulon krahët e aeroplanit gjigant “Boeing 737”

Vepra e artistit kosovar mbulon krahët e aeroplanit gjigant “Boeing 737”

Kultura December 06, 2023 - 09:15

Artisti i njohur shqiptar nga Kosova, Petrit Halilaj, që jeton në Berlin, po vazhdon të prezantojë projektet e tij të suksesshme nëpër botë e tani na befason me një vepër të veçantë, përcjell albinfo.ch.

Mbishkrimi “Nga Runiku me dashni”, vepra e tij tani mbulon krahët e aeroplanit gjigant “Boeing 737” të Aeromexicos dhe kështu fluturon nëpër shumë vende të botës.

Fjala është për pikturën e pulave nga fshati i artisti Runik, vepër kjo që është pjesë e ekspozitës së tij “Runik”‚ në Amerikën Latine, në Muzeun Tamayo të Meksikës, e cila është e hapur deri më 7 prill 2024.

Fotot e avionit me veprën e artistit kosovar Petrit Halilaj i ka ndarë në Instagram edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shkruan:

“Krahët e aeroplanit Boeing 737 të kompanisë ajrore Aeromexico u mbuluan me veprën e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj. Aeroplani fluturoi mbi Meksikën, Brazilin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i dhënë krahë veprës së Halilajt. Me mbishkrimin ‘Nga Runiku me dashni!’ pulat e fshatit të Runikut, Komuna e Skenderajt, fshatit të artistit, të cilat i trajton shpesh në veprën e tij, fluturuan të lira në tre shtete e dy kontinente, sfiduan ligjet e natyrës, rrethanat politike e pengesat gjeografike”, shkruan Kurti.

Përveç sukseseve të shumta që arriti në botë, para disa muajve Petriti Halilaj u zgjodh edhe anëtar i Akademisë së Artit Botëror në Koln të Gjermanisë. /albinfo