Këto janë çmimet që u ndanë në takimet e kulturës “Kadri Kadriu” në Podujevë
Komuna e Podujevës njofton se Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, përgjatë tri ditëve, ka organizuar aktivitete në kuadër të takimeve “Kadri Kadriu”.
Kurse mbrëmë ky aktivitet u përmbyll me ndarjen e çmimeve për pjesëmarrësit e që vendi i parë i takoi Hamit Majkofcit me poezinë “Atdhe”, vendi i dytë; Naime Beqirajt me esenë për “Llapin e Ali Podrimës”, vendi i tretë; Vlora Konushevcit me poezinë “Në kohna si këto” dhe çmimin “Afrim Maliqi” e fitoi Jonida Sheholli, me poezinë “Ti humbe në këtë vjeshtë”.
Kreu i Komunës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh i lumtur me mënyrën e mbarëvajtjes së këtij aktiviteti, duke thënë se kjo është një gjë e vogël për ta kujtuar shkrimtarin llapjan, Kadri Kadriu.
“Mbrëmë me orën e madhe letrare dhe ndarjen e çmimeve u mbyll manifestimi treditor i takimeve të kulturës ‘Kadri Kadriu’ për këtë vit në Podujevë. Takimet e kulturës ‘Kadri Kadriu’ mbahen në kujtim të profesorit dhe poetit të nderuar llapjan, Kadri Kadriu, i cili vdiq në moshë të re, por na la një pasuri poetike dhe jetësore si amanet të cilin për vjet e respektojmë, duke organizuar takimet e kulturës që nga viti 1983”, u shpreh ai. /Zëri