198 vite nga lindja e poliglotit, shkrimtarit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës
Sot janë bërë 198 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës.
Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.
Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.
Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.
Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:
«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit.»
Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.
Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./kultplus.com