“PriFest” rrugëton nëpër filma në Prishtinë si dedikim për Vjosa Berishën

“PriFest” rrugëton nëpër filma në Prishtinë si dedikim për Vjosa Berishën

Kultura September 14, 2023 - 10:29

Edhe sivjet një prej festivaleve më të mëdha të filmit në vendin tonë, “PriFest”, sjell rrëfime kinematografike prej më të ndryshmeve. E këtë tashmë gjithnjë do ta bëjë si kujtim për një prej themelueseve e drejtueseve shumëvjeçare të festivalit, producentes Vjosa Berisha.

“For Her” ka qenë motoja nisëse e edicionit të 15-të, duke u prirë me filmin “The Land Within” nga regjisori Fisnik Maxville. Kategoria kryesore është ajo ballkanike, e cila do të sjellë filma të metrazhit të gjatë.

Image

Premierë vendore do ta ketë “Sirin” nga Senad Sahmanoviq, e cila është një ndjekje e personazhit të quajtur Natalinë, e larguara nga ish-Jugosllavia në vitet ’90. Jeta më e mirë dhe e ardhmja me shpresë janë arsyet e largimit, por ajo gjen rikthim në vendin e saj të lindjes në Mal të Zi.

Një tjetër film që do ta shoqërojë publikun përgjatë ditëve të festivalit është “Blaga’s Lessons” nga Stephan Komandarev.

“Një mësuese e pensionuar e cila ka mbetur e vejë së fundmi bie pre e një mashtrimi telefonik, duke i humbur kështu kursimet e jetës dhe duke mbetur pa para për varrin e bashkëshortit të saj të ndjerë. Jeta e saj përmbyset kur e kupton se nuk ka asnjë mënyrë për t’i kthyer paratë e saj, derisa merr një ofertë joshëse por të dyshimtë për punë. Gjithçka ndryshon kur ajo i merr gjërat në duart e saj dhe paratë fillojnë të qarkullojnë, këtë herë duke shfaqur atributin e saj më të çmuar: Vlerat e saj, pasi ajo transformohet ngadalë në mashtruese. Në këtë dramë/thriller, Stephan Komandarev (“Drejtimet” Un Certain Regard 2017) rrëfen hap pas hapi udhëtimin e një gruaje që vërtitet në ciklin vicioz të realitetit të jetës jashtë rehatisë së saj”, thuhet në njoftimin e "PriFest".

“Escort” nga Lukas Nola trajton fatin e personazhit Miro, i cili në një udhëtim pune kalon natën me një eskortë e cila vdes. Të përfshirë në mbulimin e vdekjes janë punëtorët e hotelit, të cilët kthehen në kërcënim për Miron.

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” nga Gentian Koçi do të shfaq jetën e dy vëllezërve binjakë me probleme dëgjimi.

“Ata zbulojnë se për shkak të një sëmundjeje gjenetike do të verbohen gradualisht, por në mënyrë të pakthyeshme. Ata luftojnë plot emocione për t’i dhënë kushteve të tyre ekzistenciale të patolerueshme një kthesë tjetër”, njofton tutje festivali “Pri Fest”.

Ky festival do të vazhdojë deri më 17 shtator, teksa në program ka edhe filma të kategorisë Medium, PriDox, Shorts dhe Let it be. /rtk

Image