Në Mitrovicë po mbahet edicioni i parë i festivalit të muzikës Jazz
Në qytetin e minatorëve dhe muzikës rock, po mbahet edicioni i parë i festivalit ndërkombëtar të muzikës xhaz. Të hënën në mbrëmje, por edhe përgjatë katër netëve në vazhdim, muzika dhe atmosfera në sheshin "Isa Boletini" në Mitrovicë, kanë mbledhur e pritet të mbledhin shumë artdashës.
Edicioni i parë i këtij festivali mbushi sheshin "Isa Boletini" në Mitrovicë.
Festivalin e hapi artisja e njohur nga Mitrovica, Rona Nishliu e cila në qytetin e lindjes, solli edhe yllin botëror të muzikës Jazz, Richard Bonna.
"Mendoj që ka qenë diçka që i ka vy Mitrovicës, po me pëlqen shumë që u realziu. Mitrovica njihet si qytet i Mitrovicës, besoj se dicka si kjo i frymëzon artistat e rinj për me vazhdu", tha një vizitor nga Mitrovica.
Organizatorët shprehen të lumtur me nisjen e festivalit Jazz në qytetin e Mitrovicës, aty ku edhe ka filluar së pari ky zhanër muzikor.
"Herën e fundit kur ka qenë në Kosovës Richard Bona është para 15 ose 20 viteve kështu që ka qenë një lajm i madh për të gjithë Jazz dashësit, jemi me fat që ai ka pranuar me ardhur në Kosovë e veçanërisht në Mitrovicë ku ka filluar ky zhanër muzikor ", tha Edon Ramadani – dirigjent.
E ata që e mbështetën këtë festival, thonë se ngjarje të tilla kulturore janë të mirëseardhura, sidomos në këtë rajon.
"Gjithmonë janë artistët dhe sportistët ata që jo vetëm që na përfaqësojnë ndërkombëtarisht në mënyrën më të mirë të mundshme, si shtet, si shoqëri, por edhe krijojnë momente të rëndësishme, të brendshme, sepse ky koncert, ky festival i dedikohet qytetarëve të Kosovës", tha ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.
I pranishëm në këtë festival ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.
"Do të bëjmë përpjekje për me qenë festival tradicional që jeta në Mitrovicë të jetë, jo veç lajme jo fort të këndshme, por edhe lajme sikurse ky, jashtëzakonisht pozitive për qytetarët e Mitrovicës", tha Bedri Hamza.
Festivali do të jetë i hapur deri më 2 shtator ku do të ketë koncerte e punëtori me artistë ne renome botërore të muzikës jazz.