Edicioni i shtatë i “Zâ Fest”, këtë vit festivali zbret nga malet dhe mbahet në Shkodër

Edicioni i shtatë i “Zâ Fest”, këtë vit festivali zbret nga malet dhe mbahet në Shkodër

Kultura July 15, 2023 - 16:58

Festivali i mirënjohur Zâ Fest, rikthehet edhe këtë vit në datat 21, 22 dhe 23 korrik në edicionin  e tij të shtatë.

Shkodra është sërish kryefjala e këtij edicioni, por Festivali zbret nga malet duke shkuar buzë qytetit. Oborri i Kulles se Sahatit (Iglizit) dhe sigurisht Kalaja Rozafa janë vendtakimet në këtë edicion, përcjell KultPlus.Zâ Fest është festivali që lindi me synimin për të promovuar vlerat e Shqipërisë, përmes muzikës, artit të angazhuar, mbështetjes në traditë dhe mbrojtjes së mjedisit. E gjitha kjo është një përpjekje për të frymëzuar të ardhmen, jo vetëm nga përmbajtja artistike që ofrohet prej artistëve pjesëmarrës, hapësirat e zgjedhura për të mbajtur veprimtaritë, por edhe diskutimeve të lira të figurave frymëzuese e me ndikim në popullsinë vendase.

Zâ Fest është krijuar në vitin 2017 nga kantautori Vlashent Sata, frymëzuar nga kultura dhe e bukura, nga origjina e vendit tonë, për t’u kthyer në një traditë kulturore të Shqipërisë. Ky festival synon rizgjimin e kulturës si formë prezantimi dhe vënien në pah të modeleve me vlerë për të rinjtë.

Jo më kot i quajtur Zâ (gegnisht za – zëri, zanat) një nga pikat më të forta të Zâ Fest janë muzika, legjendat dhe gojëdhënat. Megjithatë, Zâ Fest synon të jetë një festival jo vetëm për muzikën dhe artin e fjalës, por edhe baletin kontemporan, teatrin, filmin, etj. Ai synon të ketë ndikim pozitiv në zonën ku zhvillohet, nëpermjet nxitjes së turizmit, mbrojtjes së natyrës, stimulimin e meditimit dhe yogës, e sporteve në natyrë.Ky festival kërkon të bëjë bashkë banorët vendas dhe vizitorët, si një shtëpi e të gjithëve, ku nis biseda, këmbëhen përvoja dhe ndërtohet e ardhmja.

Shkodra është sërish kryefjala e këtij edicioni, por Festivali zbret nga malet duke shkuar buzë qytetit. Oborri i Kulles se Sahatit (Iglizit) dhe sigurisht Kalaja Rozafa janë vendtakimet tona në këtë edicion.

Edhe këtë edicion, për tri ditë me radhë Shkodra do të argëtohet nën performancat e artistëve të mirënjohur.Ndërkaq, për të gjithë të interesuarit nga Kosova, biletat mund të rezervohen online në myticket.al ose në rrjetet sociale zafestival në Instagram dhe Facebook. Biletat mund të merren edhe në pikat fizike në listën poshtëpërmendur në foto.

Image
Image