Producentja e serialit “Rrushe”: Titrat u vendosën që ta përcjellin edhe ata që s’mund të dëgjojnë

Producentja e serialit “Rrushe”: Titrat u vendosën që ta përcjellin edhe ata që s’mund të dëgjojnë

Kultura May 27, 2023 - 13:50

Producentja dhe aktorja e serialit “Rrushe”, Doresa Rexha, ka reaguar për titrat e vendosura në këtë serial në televizionin e Shqipërisë, Top Channel.

Ajo është shprehur se e gjithë kjo është bërë që serialit të mund ta përcjellin e shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë ose që kanë dëgjim të dëmtuar, përcjell klankosova.

“Si producente dhe aktore në serialin “Rrushe”, fillimisht dua ta falënderoj gjithë audiencën shqiptare kudo në botë për vlerësimin e mirë që i ka bërë e po i bën serialit “Rrushe”, prodhim i GjirafaStudios! Kjo është shumë motivuese për mua dhe për ekipin që të vazhdojmë me planifikimin për realizimin e Sezonit të Dytë të serialit”.

“Duke parë debatet që ka ngjallur titrimi i  serialit “Rrushe” në Top Channel, mund të them që arsyeja kryesore pse kemi vendosur të kemi titrim ka qenë ofrimi i mundësisë që serialin të mund ta përcjellin dhe ta shijojnë edhe personat që nuk mund të dëgjojnë apo personat me dëgjim të dëmtuar”, është shprehur ajo.

Rexha tutje përmes postimit në Facebook, u shpreh se diversiteti gjuhësor na pasuron më shumë si komb dhe siç u shpreh ajo, nuk na ndan.

“Veç kësaj, ata që e kanë parë serialin, e kanë vërejtur që për hir të origjinalitetit, në serial, përveç gjuhës dialektore, përdoren edhe lokalizmat, zhargoni, “slang”-u, etj., që jo domosdo kuptohet nga të gjithë, prandaj është menduar që titrimi për transmetim në Top Channel të bëhet sa më afër gjuhës standarde, në mënyrë që çdo detaj i dialogjeve të kuptohet nga gjithë audienca shqiptare, siç është praktikë në shumë vende të botës me diversitet gjuhësor.  Unë besoj që diversiteti gjuhësor veç na pasuron më shumë si komb, nuk na ndan”, është shprehur tutje ajo.