Musmurati fillon Orën e Leximit për të gjitha shkollat e Prishtinës: Do të rritë dashurinë për librin dhe mendimin kritik

Musmurati fillon Orën e Leximit për të gjitha shkollat e Prishtinës: Do të rritë dashurinë për librin dhe mendimin kritik

Kultura May 16, 2023 - 12:02

Përmes një konference për shtyp, Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës ka prezantuar një projekt të ri që po e zhvillon. Fjala është për Orën e Leximit, që do të fillojë të zbatohet në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës për klasat e para deri në të pestat.

Musmurati theksoi që Komuna e Prishtinës ka blerë libra të rinj, në vlerë prej mbi 100 mijë eurove dhe do t’i shpërndajë në shkolla.

“Fëmijët do të lexojnë libra që atyre u pëlqejnë. Do të lexojnë ‘Utën e Maleve’, ‘Piter Panin’, ‘Princin e Vogël’, ‘Aventurat e Profesor Kantit’, ‘Qarlin që transformohet në T-Rex’, ‘Ditarin e Djaloshit Nerd’, do të mësojnë për Musinë Kokalarin, Greta Thunbergun, Nënë Terezën, e shumë e shumë figura të tjera”, tha Musmurati.

Me zhvillimin e kësaj politike të re, që përfshin të gjitha shkollat e Prishtinës, synohet të përmirësohet raportin i nxënësve me librin, e rrjedhimisht të rritet cilësia e arsimit në Prishtinë. Kjo vjen si pasojë e rezultateve të dobëta në PISA, ku është vlerësuar se nxënësit e Kosovës nuk kanë njohuri të mjaftueshme për të lexuar dhe kuptuar një tekst. /Zëri

Image