Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Kurti në 68-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik: Vullneti i studiuesve shqiptarë ishte më i madh sesa sfidat
Foto: Laura Hasani / ilustrim

Kurti në 68-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik: Vullneti i studiuesve shqiptarë ishte më i madh sesa sfidat

Kultura June 01, 2021 - 13:38

Sot në 68 vjetorin e themelit të të Institutit Albanologjik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në faqen zyrare të Facebook-ut, ka përkujtuar Sadri Fetiun dhe bashkëpunëtorët e tij që jetën e tyra ia kushtuan gjuhës shqipe, përcjell KultPlus.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Kurtit:

Godina e Institutit Albanologjik të Prishtinës qe rrethuar nga forca të mëdha të policisë serbe, në marsin e ’94-ës. Një mezoburrë, me gjakftohtësi e guxim intelektual, përpiqej të bindte përfaqësuesit e regjimit se është e papranueshme ndërhyrja e politikës së dhunshme në një institucion shkencor. Por, dhuna është gjuha e agresorit.

Rezistenca e prof.dr. Sadri Fetiut dhe e bashkëpunëtorëve të tij, në mbrojtje të Institutit u shtyp me dhunë. Ata u nxorrën të përgjakur nga zyrat ku me vite shkrinë mundin e dijen për avancimin e studimeve albanologjike. Vullneti dhe këmbëngulësia e studiuesve shqiptarë ishin më të mëdha sesa sfidat. Arritën të organizoheshin sërish, duke vazhduar aktivitetet në rrethanat e rënda të pushtimit.

Profesor Fetiu, i doktoruar në “Poetikën e baladës popullore shqiptare”, u nda prej nesh tre javë më parë. Ai ishte albanologu i pakompromis, intelektuali i pathyeshëm dhe mbështetësi i parezervë i kolegëve e bashkëpunëtorëve. Si studiues i folklorit e letërsisë, mësimdhënës e drejtues i Institutit Albanologjik, në kohët më të vështira, profesor Fetiu ka dhënë kontribut të madh në shkencë e zhvillim të kuadrit shkencor.

Në datën e përvjetorit të 68-të të themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës kujtojmë prof.dr. Sadri Fetiun dhe sakrificën e të gjithë studiuesve për të ruajtur e zhvilluar gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin dhe etnologjinë shqiptare.