Infektuar: 58088
Shëruar: 50953
Vdekur: 1456
Ndjekësit ia vazhdojnë amanetin, festojnë 747-vjetorin e vdekjes së Rumit

Ndjekësit ia vazhdojnë amanetin, festojnë 747-vjetorin e vdekjes së Rumit

Kultura December 28, 2020 - 10:57

Mund të duket e çuditshme, por në Turqi festohet çdo vit më 17 dhjetor vdekja e Jalal ad-Din Muhammad Rumi, i cili ishte një poet i shekullit të 13-të, dijetar islam, teolog dhe sufist mistik e për shkak të filozofisë fetare sufiste vdekja e tij festohet me shumë aktivitete me ceremonitë “Seb-i Arus” në Konya, një nga qytetet më të mëdha të Turqisë, aty ku kishte jetuar edhe Rumi.

Ai konsiderohet si një nga filozofët më të mëdhenj sufistë në botë. Rumi kishte shumë atribute të tilla si: poet mysliman, jurist, dijetar islam, teolog dhe sufist mistik.

Çdo vit vizitorë nga e gjithë bota, që besojnë në filozofinë e Rumit, marrin pjesë në ceremonitë e mbajtura në Konya për të përkujtuar Jalal ad-Din Muhammad Rumin, i cili përhap këtë pikëpamje të dashur, humaniste në të gjithë njerëzimin.

Nga 14 deri më 20 dhjetor këtë vit ekipi i “Zërit” ishte në mesin e gazetarëve nga e gjithë bota që u ftuan nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë, për të parë nga afër ceremoninë “Seb-i Arus” (Nata e ritakimit me hyjnoren), por edhe vizita në vendet më turistike në Konya dhe Stamboll.

Vizita filloi në qytetin Konya, në muzeun “Mevlana”, i cili është mauzoleumi i Jalal ad-Din Muhamed Rumit e ku brenda tij ishte edhe muzeu 3D që tregon fillimin e qytetërimit në qytetin, i cili sot ka mbi 2.1 milionë banorë.

Image

Në këtë muze, i cili u hap më 2 mars 1927, gjendet edhe shtëpiza e dervishëve, kuzhina e dervishëve (e njohur si Matbah) dhe varri Hurrem Pashait, i ndërtuar gjatë kohës së Sulejmanit të Madhërishëm.

Image

Vetëm pak hapa larg është “Panorama Museum”, ku në miniaturë mund të shihen disa nga objektet festare të ndërtuara në kohën e Perandorisë Osmane.

Image

Çatalhoyuk - ndër civilizimet më të hershme në botë

Çatalhoyuk në Konya ekziston nga afërsisht 7100 vite para Krishtit, i cili në korrik të vitit 2012 u bë pjesë e Trashëgimisë Botërore në UNESCO.

Populli i Çatalhoyukut jetonin në banesa të dendura sikurse apartamentet e sotme, të dekoruara, mjaft komplekse dhe të ndërtuara me tulla lloçi e dru.

Dyert e shtëpive kanë qenë në kulm dhe fqinjët kanë ecur nëpër kulmare të njëri-tjetrit për të hyrë në shtëpinë e tyre. Asnjë shesh, asnjë oborr dhe asnjë rrugë nuk është gjetur në Çatalhoyuk.

Image

Vizita vazhdoi në “Irfa Culture Center”, aty ku zhvillohen aktivitetet fetare dhe kulturore sufiste.

Image

Konya është një qytet i njohur jo vetëm për Mevlana, por edhe për kulturën e tij të pasur që ndërthur trashëgiminë e rëndësishme historike.

Ceremonitë “Seb-i Arus” që janë bërë një ritual vjetor në Turqi

Ceremonitë “Seb-i Arus”, të cilat mbahen çdo vit më 17 dhjetor, e që nga turqishtja përkthehet si “Nata e martesës”, njihen në rendin Mevlevi si nata kur vdiq Jalal ad-Din Muhamed Rumi. Meqenëse Rumi vdekjen nuk e konsideronte si vdekje por si një ribashkim me Zotin, vdekja e tij tash e qindra vite festohet.

Rumi e shpreh filozofinë e tij rreth vdekjes me këto fjalë: “Të gjithë i referohen asaj si largim, unë, sidoqoftë, i referohem asaj si një ribashkim”.

Image

Poeti u kishte dhënë ndjekësve të tij udhëzime të veçanta për ta trajtuar natën e vdekjes së tij sikur të ishin në një natë të gëzueshme martese. Mistiku e kishte planifikuar funeralin e tij, bashkë me këngëtarë, muzikantë, valltarë, lexues të Kuranit dhe imamë. Për Rumin prezenca e këngëtarëve dhe valltarëve tregonte se i ndjeri ishte edhe mysliman, edhe i dashur. Por kishte edhe rabinë hebrenj që recitonin psalme dhe priftërinj të krishterë që lexonin nga Ungjijtë në varrimin e Rumit – gjë që la disa prej pasuesve të tij myslimanë të hutuar. Ata thjesht nuk e kishin kuptuar se sa Rumi ishte bërë një figurë e respektuar brenda bashkësive të tjera fetare.

Ceremonia Sema

Ceremonia Sema ishte një nga momentet më të rëndësishme për çka këtë vit Ministria e Kulturës dhe Turizmit në Turqi, kishte vendosur që të ftonte mediat nga e gjithë bota për të përcjellë nga afër, pasi për shkak të pandemisë publiku nuk ishte i lejuar.

Ceremonia Sema, ku përkujtohet Rumi, përmban simbole të rëndësishme që pasqyrojnë filozofinë themelore të Urdhrit Mevlevi.

Sema në përgjithësi shpreh formimin e universit, ringjalljen e njeriut në botë, njeriun që vepron me dashurinë e tij për Zotin dhe udhëtimin e tij drejt tij, duke u bërë qenia njerëzore e përsosur.

Kostumet simbolike të dervishëve (semazenëve) në ceremoninë e Semas janë gjithashtu domethënëse. Ndërsa kapelat në formë konike (sikke) përfaqësojnë gurin e varrit të egos, fundet e gjata të bardha përfaqësojnë qefin e egos. Mbi rroba, dervishët veshin pelerina të gjata të errëta (hirka), të cilat përfaqësojnë varret e tyre të kësaj bote.

Në fillim të performancës, dervishët hapin të dy krahët në anët e tyre sikur po përqafojnë universin dhe fillojnë të vërtiten kundër akrepave të orës. Dora e djathtë, pëllëmba lart e drejtuar drejt qiellit, përfaqëson të qenit i gatshëm për të marrë dashamirësinë e Zotit.

Image

Nga Konya, vizita vazhdoi në Stamboll

Pas disa dite lamë pas qytetin e Rumit për të udhëtuar në Stambollin e 15 milionë banorëve, i cili njihet për diversitetin e tij kulturor e fetar, si qyteti më i madh në Turqi dhe qendra ekonomike, kulturore dhe historike e vendit por pa harruar qyteti që bashkon kontinentin evropian me atë aziatik përmes urës së Bosforit.

Vizita në Stamboll nisi te muze me emrin “Galata Mevlevihanesi”, i cili për vizitorë ishte hapur më 27 dhjetor 1975.

Image

Pas muzeut ishte radha për të parë kishën më të madhe të Kishës Katolike Romake në Stamboll, e që ishte kisha e Shën Antionit të Padovës.

Kisha u ndërtua në 1725 nga komuniteti italian i Stambollit, por më vonë u shemb dhe u zëvendësua me ndërtesën aktuale e cila ishte ndërtuar në të njëjtin vend.

Kisha konsiderohet një bazilikë e vogël dhe drejtohet nga priftërinjtë italianë, ndërsa meshat mbahen në disa gjuhë.

Image

Kulla e Galatës është një tjetër atraksion turistik nga maja e të cilës të jepet një pamje panaromike e gjithë Stambollit.

Image

Kulla e stilit romak u ndërtua si “Kulla e Krishtit” në vitin1348, ndërsa në periudha të ndryshme ishte ndërtuar e restauruar disa herë.

Nga Kulla Galata, ishte koha për shëtitjen me anije për të parë disa prej objekteve ikonike të Stambollit që gjenden buzë ngushticës së Bosforit.

Image

Dita tjetër në Stamboll ishte për Pallatin Topkapi afër ngushticës së Bosforit, e që daton nga Perandoria Osmane. Aktualisht ai është një muze, por para më shumë se 500 vjetësh, ishte rezidenca, apo haremi, i një sulltani, dhe shumë prej shoqëruesve të tij. Pallati u ndërtua gjatë viteve 1466-1478, nga Sulltan Mehmeti II.

Haremi ishte një shtëpi për qindra gra dhe fëmijët e tyre. Ai ishte edhe vendi ku jetonin princat, derisa mbushnin 16 vjeç. Gratë e haremeve osmane, merrnin arsimimin më të mirë, dhe punonin për të menaxhuar financat e pallatit. Emri “Harem” do të thotë në arabisht “i ndaluar”.

Vizita u mbyll në “Hagia Sophia”

Hagia Sophia në fillim ishte kishë, por me pushtimin e Kostandinopojës nga osmanët u kthye në xhami dhe deri vonë ishte vetëm muze, ndërsa vetëm para disa muajsh, mes shumë kritikash, ajo është kthyer në xhami dhe besimtarët myslimanë mund të kryejnë ritet e tyre fetare.

Image

Hagia Sophia ishte kisha kryesore e Perandorisë Bizantine dhe qendër fetare e ortodoksisë – konsiderohet si një nga ndërtesat më të bukura në botë. Ajo ishte katedralja më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në botë për më se një mijë vjet. /Zëri

Image
Një pjesë e grupit të gazetarëve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnia dhe Hercegovina, Gjermania, Polonia dhe Indonezia