“Zana”, pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë

“Zana”, pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë

Kultura August 03, 2020 - 13:56

Qendra Kinematografike e Kosovës ka njoftuar se filmi artistik i metrazhit të gjatë “Zana”, me regji të Antoneta Kastratit, është pjesë e programit “In Focus” në Festivalin e Sarajevës.

“In Focus” është program dedikuar filmave rajonalë të jashtëzakonshëm, të cilët tashmë kanë bërë sukses të konsiderueshëm në festivalet prestigjioze të filmit në botë.

Filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese, që përcjell një grua të re kosovare, e cila përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga e kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

“Zana” është filmi i tretë nga Kosova që bëhet pjesë e Festivalit të Sarajevës pas njoftimit të mëhershëm për pjesëmarrja në konkurrencë kryesore të filmit “Galaktika e Andromedës” dhe “Exil”-it.

Filmi “Zana”, me producent Casey Cooper Jonson, kishte premierën botërore në Festivalin e madh të Torontos në shtatorin e kaluar dhe përfaqësoi Evropën në Festivalin Ndërkombëtar në Sidnei të Australisë, është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Shqipërisë dhe SHBA-së dhe është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri.