Pavarësisht situatës, RTSH nis përgatitjet për Festivalin e 59-të

Pavarësisht situatës, RTSH nis përgatitjet për Festivalin e 59-të

Kultura July 01, 2020 - 19:48

Shqipëria ka nisur përgatitjet për organizimin e festivalit të këngës, që në dhjetor do të shënojë edicionin e 59-të.

RTSH ka konfirmuar sot se pavarësisht situatës së krijuar nga koronavirusi është e sigurt se edhe këtë fundvit eventi më i madh i këngës në vend, do të mbahet, transmeton Zeri.info.

Nëndrejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka zhvilloi sot takimin e parë konsultativ me krijuesit, që kanë lënë gjurmë në këtë festival, muzikantë e tekstshkrues.

Në takim siç raporton RTSH-ja, u diskutuan çështje që lidhen veçanërisht me cilësinë e festivalit, duke nisur që nga ngritja e një komisioni vlerësimi për përzgjedhjen e këngëve e deri tek kriteret për pjesëmarrjen në festival.

Në muajin shtator pritet që krijuesit të paraqesin këngët që do të përzgjidhen për edicionin e 59 -të Këngës në RTSH, ku fituesi që nga viti 2004 përfaqëson Shqipërinë në festivalin evropian të këngës “Eurovision”, i cili u anulua sivjet për shkak të pandemisë./Zëri