Esma dhe të qenit rome: Fëmijët e lënë pas dore, drejt lëmoshës në rrugë

Esma dhe të qenit rome: Fëmijët e lënë pas dore, drejt lëmoshës në rrugë

Kultura June 29, 2020 - 16:32

Shkruan: Arbër Selmani

(Shënim: Asnjëri nga fëmijët në fotografi nuk është Esma apo dikush prej personazheve tjera në tekstin që do ta lexoni)

Esma* thotë se është pesë vjeçare. Ditëlindjen e ka shumë shpesh. Sa herë më sheh nëpër rrugë, dhe kjo është çdo të enjte ose të premte, nëpër të njëjtin sokak, ajo më thotë se e ka ditëlindjen dhe se unë duhet të jem mirënjohës në një formë që ajo të marrë një kompensim financiar prej meje. Ajo don para, dhe kaq.

  • A ke hangër diçka sot?
  • Po, ni tost – më thotë ajo,
  • E pse po të duhen tash 1 euro, se ti i lype 1 euro prej meje?
  • Po, për ni tost ma vonë – thotë Esma
  • Veç nëse unë ti dho 1 euro, a shkon me ble tost a i harxhon për najsen tjetër?
  • Nëse nuk m`beson, hajde me mu.
  • Jo jo, spo vij, veq merri paret edhe shko bleje 1 tost edhe hajde kalo knej prapë e haje, edhe rrijna bashkë – i them unë.

Me Esmën kemi shoqëri tash e pak kohë. Dhe ajo bindet mirë. Sado që ajo është, 5 vjeçe apo 6, apo sa i kanë thënë të tjerët të paraqitet, ajo pas disa minutave vjen andej pari me ushqim në dorë. Gati e ka në fund me përtypje. Vjen dhe ulet afër meje, dhe më pas e nisim një diskutim të vogël për jetën e saj. Esma banon diku në një lagje të Prishtinës, afër Teatrit “Dodona”, në një hapësirë që nuk është as shtëpi e as banesë, por më shumë një lagështirë. Ajo nuk tregon se ku banon, për plot arsye. Edhe unë nuk insistoj. Unë e di që ajo është rome, kjo sepse ajo vetë më ka treguar dhe për faktin se shumë njerëz shpesh rreth meje, asaj i drejtohen me ‘oj ti çikë’, ose ‘largohu’, ose ‘hajde ti jap disa pare’ ose ‘magjupe, mos na pengo’. Dhe kjo e fundit është e tmerrshme.

Image

“Mu s’ma nin që më thojnë magjupe, unë veç du pare, nuk du probleme – thotë Esma.

“E çka bon ti kur njerëzit t`thojnë që je magjupe?” – e pyes unë tash.

“Kur tekna shumë mem dhonë pare, dikur sillen mirë e masnej ma bojnë magjupe edhe e di që duhna me u largu. Ama une sillna mirë, e para nuk foli flliqt diçka, nëse ma mshon dikush ja kthej, ama e para nuk boj sherr. E ti çka po bon këtu?”

Tash gati jemi të flasim për mua, sepse Esma është kurioze.

E mendoj me vete dhe më duket sikur fjala ‘magjupe’ është ai fjalëkalimi ku nis urrejtja mes Esmës, shoqeve e shokëve si ajo dhe qytetarëve të thjeshtë të cilët ose e dinë ose nuk e dinë që janë racistë kur e përdorin këtë fjalë drejt saj. DREJT.NJË.FËMIJE.PESË.A.GJASHTË.VJEÇAR! – faji i vetëm i së cilës është ngjyra e lëkurës.

*

Esma thotë se nana e baba i saj dalin të kërkojnë lëmoshë nëpër mahallat tjera të Prishtinës, që tregu të jetë më i hapur. Herë i ka me vete krembananet e herë shet diçka tjetër, herë kërkon para veç si një figurinë e vogël fëmijërore, një fytyrë e cila nuk imponohet por të cilën jeta e ka detyruar të kërkojë para, dhe të mbijetojë.

“As nuk e di çka osht magjupe bile, e di që diçka e keqe, kur dikush ma bon magjupe unë veç largohna ose nuk foli hiq. Nana jem m’ka thonë që kur dikush ta bon magjupe, veç largohu mos bo fjalë. E di që i bjen diçka e keqe po edhe spo ma nin me ditë çka osht magjupe”.

Esmës i tregova që për këtë intervistë nuk do ta fotografoj as nuk do t’i tregoj askujt që po bëhet fjalë për të. Madje, edhe ideja e incizimit të bisedës nuk më pëlqeu.

Image

Mendoj se më kuptoi, sepse u pajtua. Ajo e ka ditur tash e disa kohë që unë jam gazetar dhe meqë jemi shokë, ekziston një pajtim mes saj e meje, kemi shumë simpati e asnjëherë urrejtje apo dashakeqësi. Ajo dhe unë nuk do të përlahemi kurrë. Ajo, i thashë unë, nuk duhet të përlahet me askënd që në rrugë i thotë ‘magjupe’. Sepse ajo është më shumë se rome, sidomos jo ‘magjupe’, ajo është një fëmijë i lënë anash dhe për këtë faji është kaq i madh sa është zinxhir i forcuar në këtë vend.

*

Sipas një raporti nga OSCE, realizuar në janar të këtij viti, një pjesë e mirë e fëmijëve që i përkasin komuniteteve romë, ashkali apo egjiptas detyrohen nga familjet e tyre që të kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e Prishtinës. Pjesëtarë të komunitetit Rom në Kosovë bëjnë jetesën e tyre nga mbledhja e gjësendeve metalike, ndërsa burrat janë të përfshirë në punë sezonale që lidhen me agrikulturë apo ndërtimtari. Tek fëmijët, vjen në shprehje mbledhja edhe e plastikës, bërllokut dhe materialeve të riciklueshme, me anë të të cilave nëse fitojnë, ata ndihmojnë familjet e tyre. Sipas këtij raporti, përderisa nuk ka numra të saktë se sa fëmijë janë të angazhuar në këtë aktivitet, djemtë më shumë angazhohen në mbledhje të gjësendeve ndërsa vajzat më shumë merren me kërkim të lëmoshës. Shumica e fëmijëve të përfshirë vijnë nga banesat sociale në Plemetin.

Sipas Organizatës ‘Vorae – Voice of Roma, Ashkali and Egyptians’ – një prej më të mëdhave në Kosovë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas, janë afërsisht rreth 230 fëmijë në mbarë Kosovën të cilët bëjnë punë fizike në rrugë dhe kërkojnë lëmoshë. Qendra për Punë Sociale nuk i ka të ndara statistikat, por sipas tyre nga ky numër rreth 90 % vijnë nga radhët e komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptas.

Image

“Gjendja ekonomike e familjeve të këtyre fëmijëve është mjaft e vështirë dhe shumë shpesh familjet i detyrojnë fëmijët të ndërpresin shkollimin dhe t’i përkushtohen punës: mbledhjes së kanaçeve nëpër kontejnerë të mbeturinave, pastrimit të xhamave të veturave në udhëkryqe të qyteteve më të mëdha në Kosovë, e poashtu këta fëmijë shpesh hasen edhe duke kërkuar lëmoshë nëpër kafeteritë e qyteteve apo në rrugë” tregojnë nga Organizata ‘Vorae’.

Organizata në fjalë merret vetëm me rastet e fëmijëve të cilët e kanë braktisur shkollimin në ciklin fillor, duke provuar që këta fëmijë t’i kthejnë përsëri në shkollë.

Në Lipjan, Podujevë dhe Obiliq, Qendra për Punë Sociale këtë vit ka filluar pilot-projektin për digjitalizimin rreth shërbimeve që i ofron ajo, ku fokus është njoftimi dhe informimi i qytetarëve rreth rëndësisë së tërheqjes së fëmijëve nga rruga. Me anë të broshurave, njoftimeve, banerave nëpër qytet, reklamave dhe mediave, do të ndihmohet që fëmijët të largohen nga rruga dhe nga rreziqet që ajo i përqafon.

“Këta fëmijë kanë shumë gjasa të ekspozohen edhe ndaj rrezikut të shfrytëzimit nga qarqet e krimit të organizuar për qëllime seksuale e për punë të detyruar. Ata duke qenë pjesë e këtij sistemi veç sa privohen nga qasja në shërbime sociale dhe nga mbrojtja e përshtatshme”, tregojnë nga OJQ ‘Vorae’.

Image

Departamenti i Edukimit në këtë organizatë në suaza vjetore organizon fushata të ndryshme për dërgimin e fëmijëve nëpër shkolla, ndërsa problemi është më i thellë se sa duket.

“Do të duhet të mbaheshin më shumë trajnime me tema që i vetëdijesojnë fëmijët për rrezikun që ju kanoset nga të dalurit në rrugë, duhet të ketë më shumë takime me prindërit e këtyre fëmijëve, më shumë sensibilizim të qytetarëve për të raportuar rastet e fëmijëve që i hasin në rrugë tek organet kompetente, duhet të ndërtohen qendra për strehimin e fëmijëve që nuk kanë familje, duhet të ketë një fuqizim ekonomik të familjeve të këtyre fëmijëve që dalin në rrugë. Ka plot mënyra me anë të të cilave fëmijët do të mund të mbaheshin larg nga rruga”, tregojnë për neve nga Organizata ‘Vorae’.

Image

*

“Ka djem e çika që sillen mirë me mu, shkoj ju lypi pare edhe mi japin ose veç nuk mi japin ama nuk m’bërtasin. Nëpër kafe kur hij, jon ma të trent, dalin para derës e nuk m`lojn me hi. Nihere njoni ma pat mshu shkelm, edhe dikush prej kafes u qu edhe i bërtiti. Une ja nisa me kajt. Yhyyy, kjo ka ndodhë jo nihere bile, ma shumë. Tutna edhe me u shoqnu me njerëz, si me ty qitash. Tutna se hiq se di, mdoket që krejt ma kanë inati. Kah kafet e rakisë knej ka njerëz t`mirë edhe shumica sillen mirë me mu, ose m’blejnë vet tosta najhere edhe ushqim tjetër m`dhojn. Nuk guxoj me lyp gjithkah pare, edhe te gjithkush, edhe ftyrat ja u kqyri njerëzve se do jon shumë t’rrezikshëm”* – tregon Esma.

Image

*

Me Esmën kalojmë pak kohë, shumë shpesh.

Nuk ka shumë fjalë pas saj, ajo më shumë është në hall me paratë dhe me mbijetesën. E di që edhe pak minuta do të largohet prandaj unë e ‘provokoj’ sado pak për faktin se ajo është një lypëse në rrugë, një rome, një fëmijë, një pafajësi – kombinime këto fatale që shpesh nuk përpihen nga disa njerëz në Kosovë.

Image

Foto: Arbër Selmani

Si ajo, ka edhe plot të tjerë fëmijë, të cilët do të duhej të largoheshin nga rruga drejt një jete e ardhmërie më të mirë.

“Qeveria duhet të ndërmarrë më shumë masa dhe t’i marrë seriozisht këta fëmijë. Ka nevojë për ndihmë, për më shumë politika që të mbrohen këta fëmijë”, tregon Avni Mustafa nga Roma Versitas KOSOVO (RVK).

“Ika se duhna me gjet motrën, edhe ajo dikah osht tu lyp” – më thotë krejt në fund Esma.

“Mos u lazdro, kujdes”, ia kthej unë.

*

Fotografitë: Laura Hasani

TEKSTI NË GJUHËN ROME

Esma* është emër i trilluar për vajzën e vogël. Autori i tekstit e din emrin e saj të vërtetë.

*Biseda është transkriptuar dhe është përshtatur shumë pak për të qenë më ideale për lexim. Mosha e vërtetë e Esmës mund të jetë prej 5-8 vjeç, Esma është oratore dhe artikulimi në tekst është modifikuar nga autori, por pa e humbur vërtetësinë e fjalëve të Esmës.

(Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)