Filmi i animuar shqiptar prezantohet në Greqi e në Gjermani

Kultura March 03, 2020 - 09:26
Image

Filmi i animuar “Një ndodhi në bregdet” është përzgjedhur për konkurrimin zyrtar në festivalin e filmit të animuar në Athinë “Athensanimfest”, i cili do të zhvillohet në datat 19 - 22 mars në Greqi, si dhe në festivalin e filmit të shkurtër “Grenzlandfilmtage Selb” në Gjermani, i cili do të zhvillohet në datat 16 - 19 prill të këtij viti, shkruan sot Zëri

Piktor e regjisor në film është Bertrand Shijaku, skenari Kujtim Gjonaj dhe producent Genti Gjonaj. Një film për fëmijë, me kohëzgjatje 9 minuta, regjisori Bertrand Shijaku shprehet se ka shumë rëndësi për të kjo pjesëmarrje në festivale ndërkombëtare. “Ka shumë rëndësi, në radhë të parë që filmi im është në konkurrim zyrtar me gjithë filmat, të cilët shfaqen në festival e të cilët janë nga e gjithë Evropa ose më gjerë. Filmi gjithashtu përfaqëson Shqipërinë në zhanrin e filmit të animuar dhe që tregon se ka vlera, përderisa është përzgjedhur të marrë pjesë në festival dhe në konkurrim zyrtar. Por qenia ime si kineast ka të bëjë me shkëmbimin e eksperiencave në fushën e filmit të animuar, në bashkëpunimet që mund të lindin me autorë të tjerë të huaj, promovimi ose shitja e filmit, kontratat që mund të nënshkruajmë me televizione për shfaqjen e filmit ose shfaqje në festivale të tjerë, sepse në festival marrin pjesë dhe organizatorë festivalesh etj”, thotë piktori dhe regjisori Bertrand Shijaku për filmin e tij. Ai tregon se në Athinë në “Athensanimfest” pjesëmarrja e tij me filmat e animuar daton që në vitin 2008 kur kineastët e filmit të animuar shqiptar morën pjesë me një prezantim të plotë të filmave të tyre.

Ndryshe nga festivali i Greqisë, festivali në Gjermani në qytetin Selb në Bavari është një festival i filmit të shkurtër, i cili përfshin jo vetëm filma të animuar, por edhe filma të shkurtër imagjinarë. Regjisori Bertrand Shijaku tregon se në këtë festival ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha edicionet kur janë përzgjedhur filmat e tij. “Festivali ka një veçanti se përmbledh shumë filma nga Evropa Lindore dhe me të vërtetë është një sfidë me kinemanë e Evropës Perëndimore për sa u përket filmave të kineastëve të pavarur, në të cilin unë bëj pjesë. Ky festival ka vitin e 46-të të krijimit të tij dhe është titulluar Festivali i Kufirit, sepse qyteti i Selbit ka qenë një qytet në Gjermaninë Perëndimore në kufi midis ish-Gjermanisë Lindore dhe Çekosllovakisë, prandaj ata janë të prirë të përzgjedhin shumë filma nga Evropa Lindore krahas filmave evropiano-perëndimorë”, thotë regjisori i filmit./Zëri