Ekspozita 'Përtej' vjen në GMK

Kultura February 29, 2020 - 13:14

Piktorja Argenita Fetahu në ambientet e Galerisë së Ministrisë së Kulturës na sjell ekspozitën e saj personale të titulluar “Përtej”. Veprat e saj paraqesin një temë, që lidhet me përjetimet emocionale të kohës kur janë realizuar. Ato kanë një pikë referimi, eksperiencën e vet artistes, ndjeshmërinë, raportin mes së shkuarës dhe të tashmes. Imazhet gjysmëreale dhe gjysmëabstrakte mbeten të fiksuara në vepra si një strukturë individuale, ku ndjeshmëria tonale kthehet në vlerë unike.

Në këtë ekspozitë ka edhe një veçanti, gjegjësisht një fustan të nënës së saj, me anë të të cilit Argenita paraqet dy kohë, dy breza. Në të njëjtën kohë paraqet aspektin e emancipimit se deri ku kemi bërë progres në këtë drejtim ose kemi ngelur në të njëjtin stad me të kaluarën. Pra autorja ka zgjedhur fustanin për të trajtuar temën, e cila hap horizonte përtej asaj që ne shohim nëpër tablo.

Personazhi kryesor – figura e kultit të nënës, përkatësisht fustani i saj i viteve të ’80-ta, bart një kronologji ngjarjesh historike, që kanë ndodhur përreth dollapit të pritjeve të mëdha. Është fustan që identifikohet me gjendjen sociale, politike, kulturore, filozofike, me të qenët nuse, grua, nënë dhe femër me imagjinatë të bujshme, të cilën sot autorja do ta zhveshë nga vitrinat e mbamendjes, për ta veshur në rrethana arti me ngjyra arti.

Dashamirët e artit do ta kenë mundësinë ta shikojnë ekspozitën më datën 4 mars, në orën 19:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës deri më 27 mars 2020. Zëri