Sopi: Kinematografia duhet të zhvillohet si identitet kulturor

Sopi: Kinematografia duhet të zhvillohet si identitet kulturor

Kultura February 13, 2020 - 08:00
Image

Lorena Sopi i përket brezit të ri të filmbërësve në Kosovë. Regjisorja e re, që ka studiuar në Kanada, sapo i është rrekur këtij profesioni, që e vë secilin përballë vështirësive të shumta. Sopi, që ka realizuar dhe ka prezantuar me sukses në disa festivale filmin “Rreze”, flet në një intervistë për gazetën “Zëri” për sfidat e filmbërësve në Kosovë. Ajo është mjaft kritike për institucionet përgjegjëse të kulturës dhe të filmbërjes në vend, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zëri: Cilat janë vështirësitë kryesore me të cilat përballet një filmbërës në Kosovë?

Sopi: Para së gjithash janë vështirësitë materiale. Ne jemi shtet i vogël, në konsolidim e sipër. Me infrastrukturë të shkatërruar të rrjetit të kinemave. Pa traditë kinematografike. Me identitet të rrënuar kulturor. Numerikisht sa gjysma e qytetit të Torontos, ku unë kam studiuar. Pra në këto kushte kinematografia si industri nuk ka asnjë shans për t’u zhvilluar. Ne Republikën e Kosovës kinematografia do të duhej të zhvillohej si identitet kulturor, ashtu si kultivohet dhe zhvillohet në të gjitha vendet e Evropës, sepse edhe ne jemi Evropë apo jo? Madje njëra ndër kulturat më të vjetra të Evropës. Fatkeqësisht, ne nuk kemi arritur të krijojmë politika kulturore, të cilat synojnë afirmimin e identitetit të shtetit tonë në botë. Sikurse besoj e dini, Kosova ndan gjithsej 2.8 milionë euro për të gjitha institucionet e kulturës, edhe pse MKRS-ja ka buxhet prej 43 milionë eurosh. Maqedoni e Veriut, për shembull, ndan rreth 12 milionë euro vetëm për kinematografi, 7 milionë euro i ndan Qendra e Filmit dhe 3-5 milionë i ndan kryeministri për regjisorët e dëshmuar. Prandaj Maqedonia e Veriut pikërisht përmes kinematografisë ka filluar të krijojë identitet kulturor e shtetëror në botë. Maqedonia e Veriut është prezente në ngjarjet më të mëdha të botës. Filmat e Maqedonisë nga viti i kaluar kanë fituar çmime në Berlinale, në Sandance dhe janë nominuar për çmimin “Oskar”. Filmat e Maqedonisë së Veriut shfaqen në të gjitha platformat e mëdha të botës. Maqedonia e Veriut me kinematografinë e krijuar vitet e fundit në mënyrë permanente komunikon me botën. Ne, pavarësisht disa sukseseve modeste, megjithatë jemi në margjina, sepse nuk kemi fonde për të bërë kinematografi të vërtetë profesionale.

Zëri: Si i shihni zhvillimet kinematografike vitet e fundit në Kosovë? Kemi pasur disa filma të suksesshëm. Sa është e lehtë të arrihet kjo me buxhetin e vogël që keni?

Sopi: Po, kemi pasur disa filma, të cilët kanë arritur disa suksese modeste. Filmat tanë janë kryesisht drama kamertale, adekuate për televizion, por nuk kanë potencial kinematografik. Pra, filmat tanë nuk arrijnë të shfaqen në kinematë e botës, nuk arrijnë të kenë audiencë në platformat e mëdha digjitale, nuk i arrijnë madje as televizionet ndërkombëtare, me përjashtim të dy-tri rasteve. Pra, ashtu si është buxheti i vogël dhe i papërfillshëm për kinematografinë e Kosovës, ashtu janë edhe filmat tanë, pavarësisht se në jetën tonë publike sukseset modeste shpeshherë ekzagjerohen. Nuk po them se nuk ka entuziazëm ose talent për të bërë kinematografi, por nuk ka vullnet institucional. Shteti ynë, institucionet tona të kulturës, MKRS-ja, QKK-ja, nuk kanë vullnet të bëjnë kinematografi profesionale, filma seriozë me potencial kinematografik, të cilët kapërcejnë fuqishëm geton kulturore të quajtur Kosovë. Institucionet tona udhëhiqen nga mentalitete provinciale, nga klanet politike e të interesit, që për qëllim kanë zhvatjen edhe të atyre pak fondeve për kinematografi. Institucionet tona udhëhiqen me logjikën e mashtrimit. Me intencën se abuzimin me buxhetin e kinematografisë do ta fshehin mbas disa sukseseve artificiale të krijuara me paramendim, me logjikën e inferioritetit se sukseset mund t’i arrijmë duke pështyrë vetveten, duke dëshmuar përmes kinematografisë se ne jemi vend i tmerrit, kazan plehu, gjaku. Se ne ende funksionojmë me Kanunin e Lekë Dukagjinit, se jemi shoqëri që vritemi për gjakmarrje, se jemi përdhunues të të drejtave njerëzore, të femrave, të pakicave, të LGBT-së. S’ka fije dyshimi se në Evropë para së gjithash ekzistojnë stereotipa për “kazanin e plehrave dhe të gjakut”, të quajtur Ballkanin në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti. Prandaj kur ne u dëshmojmë atyre përmes filmave tanë, një pjesë e tyre ndihet mirë dhe ndonjëherë na rrahin supet, duke na inkurajuar se ne kemi guxim të “flasim për të vërtetat”.

 

Zëri: Sipas jush, a mund të bëjë shteti më shumë për filmbërësit e rinj?

Sopi: Me siguri. Me siguri shteti mund të bëjë shumë dhe jam e bindur se do të bëjë. Kosova po ndryshon. Unë jam e bindur se realiteti i papranueshëm socio-politik e kultural, që e krijua për 20 vjet liri e për më shumë se 10 vjet pavarësi, do të ndryshojë për të mirë. Unë besoj se fondet ekzistuese, të cilat deri tani janë avulluar në emër të “veprave të suksesshme” dhe të veprave të shumëllojshme, do të orientohen në përkrahjen e projekteve profesionale dhe të artistëve që dinë dhe munden të bëjnë kinematografinë e vërtetë, e cila mund të matet me botën. Ne tashmë kemi kuadro, kemi gjeneratën e vjetër të verifikuar, por kemi edhe gjeneratën e re shumë të numërt e të talentuar, e cila po troket fuqishëm në dyert e kinematografisë. Është koha që ata të marrin flamurin dhe të dëshmojnë se janë të aftë për ta krijuar identitetin tonë kulturor karshi botës. E nëse besimet e mia për ndryshimin e realitetit të papranueshëm do të dalin të kundërta dhe gjërat do të vazhdojnë me të vjetrën, nëse sërish do të zhgënjehemi, atëherë Zoti e ndihmoftë gjeneratën time.

Zëri: Në Kosovë kemi një numër të madh festivalesh të filmit. Sa konsideroni se po ndikon kjo në afirmimin e kinematografisë?

Sopi: Në njëfarë mënyre të gjitha festivalet ndikojnë në afirmimin dhe në promovimin e kinematografisë. Pra edhe festivalet tona. Disa më shumë e disa më pak. Po, ka shumë festivale në një vend të vogël. Është e natyrshme. Popujt e vegjël dhe vendet e vogla i kanë shumë për qejfi festat - dasmat. Por duhet ta kuptojmë se festat kanë lindur në antikitet për nder të prodhimeve ose të kurorëzimeve të dashurisë. Festat e Dionist, festat e Apollonit, Darka e Lamës etj. Pra duhet ta kuptojmë se duhet të prodhojmë diçka për të pasur arsye për të festuar. Duhet t’i kemi para së gjithash filmat tanë, për të cilët duhet të festojmë e pastaj në festë të thërrasim edhe mysafirët dhe t’u gëzohemi bashkërisht të arriturave. Deri më tani festivalet tona janë organizuar në shenjë të promovimit e të afirmimit të filmit të huaj, kurse filmi shqiptar ka qenë në margjina. Zëri