Vazhdojnë diskutimet për shtatoren e Anton Çettës që rri mbyllur në atelie
Njëqindvjetori i lindjes veprimtarin Anton Çetta e gjeti pa një shtatore në qytetin e Prishtinës, për shkak se Komuna ende nuk ka arritur të caktojë një lokacion. Një shtatore e tij rreth tremetërshe ka 16 muaj që është finalizuar nga skulptori Agon Qosa, shkruan sot gazeta "Zëri".
Të hënën ministrja e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, Vlora Dumoshi, si asambliste e Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës ka kërkuar që në mbledhjen e radhës të hyjë në rend të ditës vendimi për vendosjen e shtatores së Anton Çettës. “Sivjet është 100-vjetori i lindjes së Antonit dhe po ashtu 30-vjetori i lëvizjes së madhe të pajtimit të gjaqeve. Kjo lëvizje e madhe, e cila bashkoi djem e vajza, të rinj e të vjetër u bë shtytja themelore për programin e mëvonshëm për liri, për pavarësi dhe për demokraci. Për më tepër, kjo lëvizje bashkoi popullin shqiptar të Kosovës, që sot të jemi të lirë dhe të pavarur”, ka thënë Dumoshi.
Tutje ministrja ka shtuar se figura e tij e humanizon Prishtinën dhe mund të bëhet një pikë orientimi për qytetin. “Figura e tij e fisnikëron Prishtinën dhe i jep dimension etik kryeqytetit të Kosovës, për të cilën ai punoi me dashuri dhe me përkushtim. Të dashur asamblistë, një monument për Antonin duhet të na bashkojë të gjithëve në këtë jubile të dyfishtë për të dhe për trashëgiminë e tij të pasur e bashkuese. Kosova sot ka nevojë për frymën e tij. Prishtina sot ka nevojë për figurën e tij. Prandaj ju ftoj që të bashkohemi sipas filozofisë së Antonit dhe për të mirën e brezave që do të vijë. Me urti e mirëkuptim, për të mirën e përbashkët”, tha Dumoshi.
Mirëpo para disa javësh kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka propozuar që shtatorja e Anton Çettës ta ketë vendin në parkun në mes të Fakultetit të Filologjisë dhe katedrales “Nëna Terezë”. Ahmeti ka thënë se pas përfundimit të parkingut nëntokësor, parku përmbi do të zgjerohet edhe më shumë dhe aty bashkë me shtatoren e Fehmi Aganit do ta kemi edhe shtatoren e Anton Çettës. “Ne si ekzekutiv në bashkëpunim me asamblistë të Kuvendit Komunal në mbledhjen e radhës do të propozojmë që shtatorja e Anton Çettës ta ketë vendin në parkun në mes të Fakultetit të Filologjisë dhe Katedrales. Pas përfundimit të parkingut nëntokësor, parku përmbi do të zgjerohet edhe më shumë dhe aty bashkë me shtatoren e Fehmi Aganit do ta kemi edhe shtatoren e Anton Çettës”, ka shkruar ndër të tjera Ahmeti.
I përjetësuar në bronz
Më 10 tetor të vitit 2018 Qosa lëshoi nga duart mjetet e tij të punës, pasi vepra të cilën e shkriu në bronz u miratua nga familja Çetta dhe nga Këshilli Organizativ për vendosjen e shtatores së Anton Çettës në Prishtinë. Ky Këshill Organizativ përbëhet nga Mulla Xhevat Kryeziu, Don Lush Gjergji dhe Riza Krasniqi. Por as skulptori vetë nuk e kishte menduar që edhe një vit më pas në kryeqytet nuk do t’i gjendet një vend shtatores së pajtuesit të gjaqeve. Skulptori Agon Qosa ka thënë se askush nga Këshilli Organizativ ose nga Komuna e Prishtinës nuk e ka kontaktuar për t’ia dhënë lajmin e mirë se është caktuar një lokacion për shtatoren, të cilën e ka punuar. Kësisoj, siç ka konfirmuar Qosa, shtatorja e Anton Çettës vazhdon të qëndrojë e mbyllur në atelienë e tij në Ferizaj.
Rikujtojmë se oborri i Institutit Albanologjik të Kosovës ishte parë i përshtatshëm si lokacion nga Këshilli Organizativ për vendosjen e kësaj shtatoreje. Mirëpo ky institucion, ku profesori Anton Çetta punoi për vite të tëra, ka refuzuar vendosjen e shtatores së tij në oborrin e vet me arsyetimin se duhet gjetur një vend më të madh, për shkak të rolit historik që ka pasur lëvizja e drejtuar nga Çetta. “Këshilli Drejtues afirmon qëndrimin e Institutit Albanologjik të vitit 2010, duke konsideruar se, për shkak të rolit historik që ka pasur Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve dhe në mënyrë të veçantë të prof. Anton Çettës, vendosja e shtatores së tij do të duhej të bëhej në një shesh të madh të qytetit, i cili njëkohshëm do të pagëzohej me emrin sheshi i pajtimit ‘Anton Çetta’ dhe do të kishte infrastrukturë përcjellëse (fontanë, banka për pushim)”, patën deklaruar përfaqësues të Institutit Albanologjik.
Ekipi i gazetës “Zëri” pati vizituar atelienë e skulptorit ferizajas vitin e kaluar për të parë nga afër shtatoren tremetërshe të profesorit Anton Çetta, tashmë të larë në bronz. Me një portret të buzëqeshur, një dorë që shtrihet si për pajtim dhe një qëndrim trupi jokrejtësisht gatitur, gati-gati spontan, imazhi i Anton Çettës është jetësuar në një vepër arti. Duke shpjeguar procesin e tij të punës nga argjila në bronz, skulptori Qosa na pati treguar se gjithçka është finalizuar brenda afatit të caktuar prej 5 muajsh. “Mostrën dhe bucetën i kam punuar në tri ditët e fundit sa ka qenë i hapur konkursi. Në atë konkurs morën pjesë 6 skulptorë, kurse unë dola fitues. Afati i caktuar ka qenë 5 muaj dhe unë punën e kam përfunduar më 10 tetor. Punimi i skulpturës bëhet me mellë në argjilë, pastaj në gips dhe në fund në bronz. Kjo skulpturë tashmë është gati dhe është miratuar nga familja e nga Këshilli Organizativ. Shtatorja edhe është paguar, vetëm pritet të vendoset lokacioni”, thotë Qosa.
Më tutje skulptori shton se debatet që janë bërë për lokacionin se ku duhet ose nuk duhet të vendoset kjo shtatore nuk i kanë pëlqyer. Zëri