'DAM Fest'-i gati për edicionin e 15-të, shënon edhe 250-vjetorin e lindjes së Beethovenit

'DAM Fest'-i gati për edicionin e 15-të, shënon edhe 250-vjetorin e lindjes së Beethovenit

Kultura February 11, 2020 - 08:00
Image

 

Marsi sjell në Prishtinë edicionin e 15-të të festivalit “DAM Fest”. Të gjithë adhuruesit e muzikës klasike duhet të rrumbullaksojnë datat 24-28 mars 2020 për të marrë pjesë në koncertet që ky festival prezanton sivjet.

Në një intervistë për gazetën “Zëri” Dardan Noka, drejtor artistik i këtij festivali, shpalosi detaje nga programi i sivjetmë. Edhe pse thekson se ende po ballaqafohen me probleme të njëjta si 15 vjet më parë, ai zotohet se kanë përgatitur një program festiv. Ky edicion i 15-të i DAM-it hapet e mbyllet me koncerte, që i dedikohen 250-vjetorit të lindjes së Beethovenit.

ri: Këtë pranverë “DAM Fest”-i shënon edicionin e 15-të. Duke lënë pas 14 edicione të suksesshme, i 15-ti mund të shihet edhe si festë. Çfarë keni përgatitur deri tani për këtë edicion special?                                 

Ky vit për DAM-in është festë. Jemi munduar të kemi një program që do të lërë shijen e një përvjetori të rëndësishëm, ani se ballafaqohemi me probleme të njëjta sikurse 15 vjet më parë. Problemet janë të shumta dhe as faqet e një numri të tërë gazete nuk do të mjaftonin për t’i numëruar ato. Sidoqoftë, këtë herë po shpalos më shumë një pjesë të programit, duke lënë anash për një çast problemet. Hapja dhe mbyllja e festivalit janë rezervuar për përvjetorin e madh të Beethovenit. Tashmë kemi hyrë në vitin ku gjithë bota shënon 250-vjetorin e lindjes së gjeniut klasik, kështu dhe ne kemi menduar të jemi pjesë e festës, duke e nisur festivalin e 15-të me koncertin e ansamblit austriak “Wiene Kammersymphonie” dhe me pianistin kosovar Mennan Bërvenikun, i cili jeton e vepron në Vjenë. Mbylljen ia kemi besuar violinistit të shquar shqiptar Tedi Papavramit, i cili në Prishtinë do të luajë i shoqëruar nga pianisti eminent francez François-Frederic Guy.

 

Zëri: Sipas jush, çfarë do ta bëjë këtë edicion të DAM-it më të veçantë se edicionet e tjera?

Përveç asaj që përmenda, do të ngelemi te prezantimet, përmes së cilave tentojmë ta sjellim muzikën klasike në një formë tjetër të përfaqësimit. Pjesë të rëndësishme do të zërë interpretimi i veprave të shek. XX dhe të shek. XXI nga ansambli rezident i festivalit “Oerknal” (Holandë) në bashkëpunim me disa prej muzikantëve më të dalluar kosovarë të gjeneratës së re. Po ashtu do të prezantohen edhe instrumentistë, të cilët do të luajnë në instrumente që jo shpesh mund t’i hasim në skenën kosovare.

Zëri: Në cilat lokacione sivjet do të mbahen mbrëmjet muzikore të “Dam Fest”-it. Sa po e vuani mungesën e një salle koncertale?

Festivali do të lëvizë në disa lokacione: Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë, Amfiteatri i Bibliotekës Universitare, Klubi i Boksit dhe Fondacioni 17 për Ligjëratat dhe Prezantimet.

Zëri: Cila është vështirësia më e madhe me të cilën përballen organizatorët e një festivali të muzikës klasike në Kosovë? Sa jeni të kënaqur me përkrahjen institucionale?

Ende nuk është rregulluar çështja e mbështetjes. Skema e pavarur nuk ka as lehtësime në pikëpamje administrative, të taksave dhe mbështetja, edhe ajo që është, vjen gjithmonë problematike, e vonuar dhe është dëbuese e jo mbështetëse. Skena e pavarur shihet si barrë, si shpenzim në sytë e institucioneve dhe donacionet më shumë jepen si lëmoshë sesa si mbështetje serioze për një zhvillim të mirëfilltë të skenës. Pastaj Kosova ka edhe limitet e veta në qasjen e fondeve jashtë vendit. Skena e pavarur gjendet në të njëjtin nivel, mu aty ku ka qenë para 15 vjetësh. Gjërat kanë lëvizur pak. Shpresoj që në mandatin 4-vjeçar të qeverisë së re gjërat të marrin drejtimin e duhur.

Zëri: Përveç DAM-it, ka edhe një seri festivalesh të muzikës klasike, që mbahen në pranverë. Është e qartë se publiku nuk ju mungon. Si e vlerësoni kontributin që organizime të kësaj natyre japin për jetën kulturore në vend?

Disa vite më parë njëri nga ministrat e Kulturës pati marrë ca vendime skandaloze, që për qëllim kishin shkatërrimin e skenës së pavarur kosovare. Pavarësisht dëmit, kjo nuk u arrit. Imagjinojeni Prishtinën pa festivale dhe pa aktivitete të skenës së pavarur. Çka ofron Prishtina, përveç kafeneve? Festivalet dhe skena e pavarur e vënë në lëvizje Prishtinën dhe i japin sharmin që ajo ka. Personalisht as që dua ta imagjinoj Prishtinën pa skenën kulturore, të tillë besoj e duan banorët e saj, të cilët këtë e shpërfaqin me interesimin që kanë për t’u dhënë jetë e ngjyrë ngjarjeve që zënë vend në shtëpinë e tyre të përbashkët. Zëri