Mehmetaj promovon librin që shëtit lexuesin në qytetet e Ilirisë

Mehmetaj promovon librin që shëtit lexuesin në qytetet e Ilirisë

Kultura January 31, 2020 - 10:23

Liridona Ahma

Dje në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u promovua libri “Qytetet e Ilirisë”, i autorit Gani Mehmetajt. “Qytetet e Ilirisë” është një libër i veçantë, i cili flet për të kaluarën shqiptare, shkruan sot gazeta "Zëri". Ky libër prezanton 23 qytete shqiptare me një të kaluar të lavdishme, nga Nishi, Shkupi, Prizreni, Ulpiana, Artana, Gjakova, Shkodra, Ulqini, Lezha, Kruja, Preza, Kanina, Gjirokastra, Pogradeci e deri në Korçë. Shumica e këtyre qyteteve kanë vazhdimësi nga parahistoria, antika, mesjeta e deri në ditët e sotme, disa të tjera pas periudhave të lavdishme në parahistori e në antikë u shuan në mesjetë. Qytetet ilire shquheshin për organizim shtetëror, për objektet monumentale, për kështjellat e sigurta, për amfiteatrot, për faltoret pagane, për kishat paleokristiane etj. Autori qytetet e Ilirisë i sheh nga prizmi i sotëm. Në këtë libër ai e shpalos të kaluarën, duke bërë njëkohësisht edhe krahasimet në mes të asaj që ishin dikur, peshën që e kishin për ilirët e Ilirinë, peshën që e kishin për arbërorët dhe rëndësinë që e kanë sot për shqiptarët. Libri është i tipit të udhëpërshkrimit, meqë autori ka shtegtuar gjatë nëpër këto qytete e krahina ka ilustrime me fotografi, rrëfime të vendasve, kronika të para dymijë vjetëve etj. Për disa nga këto vende e kështjella është ditur pak ose aspak: Kështjella e Jerinës, Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit, Suka e Cërmjanit, që ishin fortifikata malore me garnizone ushtarake dardane.

Shaban Arifaj, redaktor i librit, njëherësh edhe udhëheqës i këtij promovimi, tregoi se autori me këtë libër tejkalon parametrat edhe të një studimi historik. “Kjo vepër jo vetëm me ngjarjet, por edhe me shkrimin, me përmbajtën dhe me stilin tejkalon parametrat edhe të një studimi historik.  Përmbajtja, shtjellimi dhe përshkrimet Ganiu i bën me një kapërcim të fuqishëm historik, duke u thelluar në përshkrimin e qyteteve dhe të ngjarjeve, të cilat lidhen me periudhën e lavdishme të Ilirisë, duke i përshkruar në mënyrën më të fuqishme të mundshme si një realitet i qëndrueshëm historik. Mehmetaj shquhet me stilin e tij të veçantë. Ai trajton tema dhe probleme që janë të nxehta për opinionin”, potencoi Arifaj.

Studiuesi i letërsisë, Femi Cakolli, gjatë përurimit prezantoi një analizë të librit, ku tregoi se këtë herë lexuesi nuk ka në dorë përmbledhje publikimesh ose ndonjë roman nga aktualiteti ynë kulturor. “Autori këtë herë e lë fiksionin dhe bëhet një vizitator, një arkeolog ose ciceron për gjetjet më të fundit nëpër këto qytete ilire si pjesë e ekspeditave që i ka bërë”. “Mund të konstatoj se nga aspekti tematik kjo vepër nuk ka ndonjë risi strukturore, veçantia e këtij teksti është arkeologjia e këtyre qyteteve, ideja për të përçuar një mesazh dhe kundërshtia për këtë civilizim tonin”, u shpreh Cakolli. Në fund autori Mehmetaj tha se është i lumtur teksa sheh interesimin e lexuesve. Ai premtoi se në të ardhmen do të sjellë edhe krijime të reja, qoftë nga letërsia ose nga publicistika. Mehmetaj diskutoi me të pranishmit rreth librit dhe interesimeve që ata shfaqën për veprën e tij.

Librin “Qytetet e Ilirisë” e botoi shtëpia botuese “Titanic”, kurse ilustrimet janë me ngjyra. Libri gjendet nëpër libraritë e kryeqytetit “Dukagjini”, “Artini” dhe “Buzuku”, si dhe në kioskat e sheshit “Nënë Tereza”. Zëri