![Poradeci përkujtohet në takimin letrar “Esad Mekuli”](/uploads/zeri.info/images/2019/December/18/auto_1-poradeci1576661842.jpg)
Poradeci përkujtohet në takimin letrar “Esad Mekuli”
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/December/18/auto_21576661849.png)
Dje në bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani” Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK) mbajti takimin letrar “Esad Mekuli”, me ç’rast u promovuan disa vepra. Në këtë sesion u përkujtua poeti i madh Lasgush Poradeci, ku folës ishin Emin Kabashi, Hamdi Hysuka dhe Fatmir Halimi.
Shyqeri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, tregoi se ky manifestim tradicional po mbahet për të dhjetën herë me radhë dhe në të marrin pjesë me krijimet e tyre përfaqësues të të gjitha viseve shqiptare. Me praninë e saj në sallë i nderoi dhe bija e poetit Marie Gusho. Në kuadër të takimit letrar patën mundësinë të ndjekin sesionin letrar “Poradeci - poeti ynë i madh” dhe studiues e krijues paraqitën punimet e tyre, për të cilat kanë dëshmuar përkushtim e prirje për t’u marrë me probleme e me çështje serioze të krijimtarisë letrare. Profesor Emin Kabashi tregoi se do të shqyrtohen tri rrafshe të motiveve në poezinë e Lasgush Poradecit, që janë kodet themelore të vlerës së poezisë së tij jo vetëm në planin e shtrirjes tematike e motivore, por edhe në planin e strukturës së poetikës në poezinë e tij. “Këto rrafshe janë: kënga pleqërishte e tij, kozmogonia e poezisë se Lasgushit dhe rrafshi i tretë - vdekja dhe përjetësia. Krijimtaria poetike e Lasgush Poradecit, e cila që në nismë ka zgjuar interesime të kaheve të ndryshme, mund të konsiderohet një shembull i mirë i zhvillimit të mendimit kritik dhe i nivelit të vlerave artistike”, tregoi Kabashi.
Sipas tij, nëse për ndonjë krijues të Rilindjes Kombëtare mund të thuhet se ishte poet me një përkushtim fanatik ndaj artit, atëherë ky është Lasgush Poradeci. “Lasgushi dallon nga krijuesit e poezisë shqipe dhe të poezisë evropiane. Nuk janë vetëm përzierjet e rrymimeve poetike ato që e bëjnë një krijues origjinal të poezisë (parnasizmi, simbolizmi, ekspresionizmi, aspektet romantike, format klasiciste), por edhe kultura e gjerë letrare që kishte thithur në vende të ndryshme të Evropës”, tha Kabashi.
Lasgushi, sipas profesorit Kabashi, është poet që i ka besuar artit më shumë sesa fjalomanisë.
Profesori Hamdi Hysuka në fjalën e tij tha se në listën e poetëve të njohur shqiptarë vend të merituar zë Lasgush Poradeci, mbajtësi i kurorës së poetit kombëtar lirik. Sipas tij, koha ka vërtetuar se Lasgushi me vëllimet e tij “Ylli i zemrës” dhe “Vallja e yjeve” solli vlerë të re poetike, duke mbetur deri në fund poet lirik i pastër, këngëtar i dashurisë, i natyrës dhe i mendimit, reformatori më i shquar i fjalës poetike. “Kanë kaluar 30 vjet qëkur kolosi i poezisë shqipe ndërroi jetë, megjithatë në mesin tonë jeton pavdekësia e shpirtit të tij, shkolla poetike që ai krijoi. Jo rastësisht Lasgushi fliste bukur në shumë gjuhë të botës, në anglisht, në gjermanisht, në frëngjisht, në italisht etj. Kultura perëndimore, atdheu e vendlindja, traditat, gjuha e flamuri mbetën objekt i shumë poezive të tij. Çdo gjë që ‘mban erë Shqipërie’ ai e quante vlerë”, u shpreh Hysuka.
Fushë kryesore e veprimtarisë së Lasgushit ishte edhe përkthimi i poezisë. Janë të njohura shqipërimet nga poezia e Pushkinit, e Lermontovit, e Gëtes, e Hajnes, e Brehtit, e Hygoit etj. “Nuk është e tepërt të thuhet se Lasgush Poradeci është vetë poezia, bota e së bukurës”, përfundoi Hysuka.
Me rastin e këtij takimi letrar Fatmir Halimi paraqiti kumtesën “Lasgushi - poeti i parë i letërsisë moderne shqipe” dhe tregoi për vëllimet e tij me poezi “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”, të botuara në Bukuresht. Sipas tij, këta dy libra janë të veçantë në poezinë moderne shqipe, pasi sjellin risi të paparë deri atëherë në letërsinë tonë. “Tiparet veçuese janë struktura gjuhësore, forma e përsosur, sistemi i ndërtimit të veprës, përdorimi i figurave letrare, sidomos i metaforës. Ai është i veçantë edhe në trajtimin e temave mbi frymëzimin dhe mbi krijimin e botës dhe të dashurisë. Temë e cila trajtohet në të gjithë ciklin e tyre dhe me të drejtë e quajnë poet të dashurisë”, tha Halimi.
Me këtë rast në sesion u promovuan edhe disa vepra si ajo e Milazim Kadriut “Zëra të dëlirë”, poezi për fëmijë “Gjethnajë shpirti” nga Vera Istrefaj, romani “Violina e humbur” nga Lutfi Dervishi, poezia “Hapekrah” nga Xheladin Mjeku, “Jeh motesh” nga Naxhije Doçi etj.Zëri