Filmi kosovar “Cirku fluturues” mirëpritet në Tallinn të Estonisë

Filmi kosovar “Cirku fluturues” mirëpritet në Tallinn të Estonisë

Kultura November 29, 2019 - 10:14
Image

Të mërkurën në “Black Nights Film Festival” në Tallinn të Estonisë u shfaq premiera botërore e filmit të gjatë artistik “Cirku fluturues”, me skenar dhe me regji nga Fatos Berisha. Filmi pati një pritje dhe një reagim jashtëzakonisht të mirë nga publiku.

Ky është filmi i parë i gjatë i regjisorit Fatos Berisha, i cili shënon një sukses të madh me premierë botërore në konkurrencë kryesore në këtë festival kaq të njohur. Regjisori Berisha në fjalimin e tij para shfaqjes shprehu pikëllimin me tragjedinë që po përjeton populli shqiptar këto ditë dhe kërkoi nga publiku nderim për viktimat e tërmetit në Shqipëri. “Është një moment i veçantë në karrierën time. Jam i lumtur që filmi im i parë është në këtë festival. Faleminderit që na keni ftuar këtu. Kjo shfaqje është premierë edhe për aktorët e filmit, të cilët do ta shohin filmin këtu bashkë me ju për herën e parë”, u shpreh në vazhdim Berisha. ‘Cirku Fluturues’ është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta të një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë, për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë,shkruan sot gazeta "Zëri".

Në premierën në Tallinn ishte e pranishme edhe një pjesë e ekipit të filmit, e përbërë nga producentja Vjosa Berisha, nga aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani, Maylinda Kasumovic dhe Vedat Bajrami. “Cirku fluturues” është bashkëprodhim i Kosovës (“B2 Films Kosovo” dhe “Ikone Studio”), Shqipërisë (“B2 Agency”, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (“Black Cat Production”). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe nga Agjencia e Filmit e Maqedonisë Veriore.

Pas shfaqjes së filmit ekipi u rikthye në skenë për t’iu përgjigjur pyetjeve të shumta. Të shtunën do të mbyllet festivali, ku dhe do të ndahen çmimet. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topi, ndërsa në rolet dytësore: Velibor Topic, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha.

Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, nga montazheri Vladimir Pavlovski, nga disenjatori i setit Arben Shala, nga kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe nga kostumografja Desantila Lika. Xhirimet e këtij filmi u mbyllën në prill të vitit 2018, pas një rrugëtimi 22-ditësh të ndarë në katër javë, një në Kosovë, një në Ulqin, një në Shkodër dhe një në Tiranë.

Për këtë sukses ekipin e filmit “Cirku fluturues” e ka uruar edhe drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës, Arben Zharku. “‘Cirku fluturues’, nga Fatos Berisha, shënon një sukses të jashtëzakonshëm, duke hyrë në konkurrencë kryesore në Festivalin e Filmit në Tallinn. Urime të gjithë krijuesve të këtij filmi të mrekullueshëm e në veçanti Fatosit dhe Vjosës për punën e gjatë dhe me përkushtim në krijimin e këtij tregimi, të bazuar në ngjarje të vërtetë”, ka shkruar Zharku.

Sivjet festivali “Estonia Tallinn Film Festival” nisi më 15 nëntor. Ky festival organizohet qe më tepër se dy dekada, nga viti 1997 dhe cilësohet si njëra nga ngjarjet kryesore të kulturës në kryeqytetin estonez.

E kjo nuk është hera e parë që Kosova prezantohet në këtë festival të “Kategorisë A”. Në vitin 2017 atje u dha premierë filmi “Martesa” i regjisores Blerta Zeqiri. Madje ky film edhe triumfoi në Estoni, duke marrë çmimin e kritikës “Fipresci Prize”, si dhe çmimin special për ansamblin e aktorëve në kategorinë “First Feature Competition” në galambrëmjen e organizuar në Tallinn të Estonisë.Zëri