Artistja që përmes stripit po ngre zërin për pabarazinë gjinore

Artistja që përmes stripit po ngre zërin për pabarazinë gjinore

Kultura nëntor 18, 2019 - 10:37
Image

Historia e një superheroine, e cila e lufton në Kosovë pabarazinë gjinore, por që njëherazi reagon edhe kundër pabarazive të tjera, ka nisur të prezantohet së fundmi përmes rrjetit social “Facebook” në formë të stripit. "Hyjnesha" është një strip feminist në gjuhën shqipe, autore e fabulës dhe e ilustrimeve, të të cilit është Eurisa Rukovci. Eurisa nuk është as shkrimtare e as ilustruese. Ajo është psikologe nga Prishtina që merret me aktivizëm për të drejtat e grave dhe stripi është pasioni i saj, të cilën po e promovon përmes faqes “Stripi feminist ‘Hyjnesha’". Për gazetën “Zëri” Eurisa Rukovci ka treguar se "Hyjnesha" do të botohet me seri vazhdimisht në këtë faqe. Stripi i saj flet për Evën dhe Monën, dy vajza të reja nga Prishtina që secila në mënyrën e vet luftojnë për barazi gjinore. Po ashtu si personazh i rregullt do të jetë edhe “Shpirti i Hyjneshës”, personazhi mbinatyror që i jep kurajë dhe motivim. “Ideja për strupin ‘Hyjnesha’ ka ardhur nga figurina ‘Hyjnesha në fron’ dhe nga vetë gratë e Kosovës, gra të forta që nuk dorëzohen. Në anën tjetër, për shkak se si e re kam qenë e pasionuar pas superheroinave, kam pasur dëshirë që t’i jap jetë edhe një stripi me superhero që është në gjuhën shqipe, ngjarja zhvillohet në Prishtinë dhe ka të bëjë me simbole të Prishtinës dhe të Kosovës”, ka treguar Rukovci për gazetën “Zëri”. 

Stripi që ajo ka nisur ta publikojë ka të bëjë me një vajzë të re Evën, e cila rastësisht e gjen figurinën, e cila humb gjatë transportit dhe nga ajo merr superfuqi. Eva në episodin e parë shihet duke u preokupuar me mënyrën se si gratë ndihen të pafuqishme në rrugë e në shtëpi dhe kjo gjë e mundon atë. Pas kontaktit të parë me figurinën, asaj i ngjitet një maskë në fytyrë dhe i shfaqet “Shpirti i Hyjneshës”, i cili i tregon se tani ka përgjegjësi të mëdha.  “Kjo temë mç është dukur e përshtatshme, për shkak se ngërthen në vete çdo gjë që më preokupon edhe mua si një grua e re në Kosovë”, thekson Eurisa.

Personazhet e saj kanë karakteristika të ndryshme individuale. Eva është një vajzë e re rebele, e vendosur dhe e gatshme për të marrë përgjegjësi. Mona, shoqja e saj e ngushtë, është racionale, teorike, e përpiktë dhe shumë e dijshme dhe në fund është “Shpirti i Hyjneshës”, e cila do të shfaqet si “Zëri i ndërgjegjes” gjatë stripit.

 

Image

Rukovci: Të respektohet Hyjnesha në fron dhe hyjnesha, të cilën çdo grua e ka brenda vetes

Edhe pse dihet se stripi nuk është medium i lehtë i artit për t’u punuar, kjo nuk e ka frikësuar artisten e re. Eurisa konsideron se stripi në fakt i përshtatet shumë mirë dinamikës me të cilën po jetohet sot. “Stripi më duket forma më e lehtë për të përcjellë aksionin dhe gjendjet emocionale të personazheve të mia. Për më tepër, duke marrë parasysh që jetojmë në një botë ku informatat na shërbehen në mënyrë shumë të shpejtë, kam menduar se stripi do të mundë t’i përfshinte bukur mirë këto dimensione të dinamikave të jetës moderne”, thekson artistja.

E pyetur se pse ka zgjedhur ta titullojë “Hyjnesha”, Rukovci thotë se e ka bërë me qëllim që të respektohet figurina e “Hyjneshës në fron” dhe e hyjneshës të cilën çdo grua e ka përbrenda vetes – me ose pa fuqi mbinatyrore. “Ende jam në fillim të stripit dhe ajo çfarë është e rëndësishme është të shfaqen të gjitha pjesët që i kam menduar sa i përket dialogut. Megjithatë, për shkak se nuk jam ilustruese profesionale besoj se dimensioni artistik do të mundë të jetë pengesë për sa i përket planit konkret rreth numrit të episodeve që do t’i ketë”, duke shtuar se definitivisht një nga qëllimet e saj qe në fund edhe të botohet si libër i shtypur. 

Për lexuesit e “Zërit” ajo tregon edhe ecurinë e punës së saj. “Së pari i kam konstruktuar personazhet kryesore, disa prej të cilëve ende nuk janë shfaqur në episodin e parë. Me konstruktim nënkuptoj edhe detajet më të vogla, do të thotë se si do të reagonin në situata të ndryshme dhe tiparet e personalitetit, ku më ka ndihmuar edhe njohja klinike e teorive të ndryshme mbi personalitetin. Më pastaj e shkruaj dialogun në mes të personazheve dhe në fund vijnë ilustrimet”, rrëfen Eurisa.

Edhe pse është psikologe me profesion e jo shkrimtare ose ilustruese, Rukovci thotë se artin e ka mbajtur gjithmonë pranë vetes dhe e ka gërshetuar me preokupimet e veta. Për këtë arsye kjo punë po i sjell kënaqësi të dyfishtë.  “Në fakt artin gjithmonë e kam dashur, edhe pse e kam aplikuar në forma të ndryshme. Kur isha adoleshente performoja muzikë metal, gjersa gjatë studimeve pikturoja. Ndërkohë, pavarësisht zhvillimit profesional, nuk jam shkëputur asnjëherë nga arti. Sa herë që kam kohë të lirë mundohem që t’i ndjek më të rejat e botës së artit, qoftë letërsi, muzikë ose pikturë. Fatmirësisht, nuk po e kam shumë të vështirë që të punoj në këtë medium, edhe pse ndonjëherë është sfiduese. Por çdo sfidë ka edhe kënaqësitë e veta”, shprehet artistja.

Nga fusha e superheronjve Rukovci tregon se Joss Whedon është i preferuari i saj. “Ai ka shkruar ‘Buffy the Vampire Slayer’, që është një nga tregimet më të bukura sa u përket heroinave dhe sfidave të jetës; e ka shkruar ‘The Avengers’ si dhe shumë seri televizive që i kam përcjell si vajzë e re. Gjithashtu Marjane Satrapi është një nga autoret që më inspiron për shkak të dimensioneve politike dhe feministe që ua jep storjeve të saj”, thotë ajo.

Për fund Rukovci thotë se do të ishte e vështirë ta bënte këtë rrugëtim pa përkrahjen e njerëzve që i ka afër. “Familja ime kanë qenë gjithnjë për mua inspirim e motivim dhe nëna e motra shembuj të grave të fuqishme. Shoqja ime, Visarja, më ka shtyrë tash e sa kohë ta publikoja stripin, gjersa i fejuari im, Fitimi, sikurse për çdo projekt tjetër edhe kësaj radhe ka qenë përkrahësi im kryesor”, përfundon kështu ajo.Zëri