'Shënime të pamjaftueshme', përmbledhja poetike që ka për objektiv qenien

'Shënime të pamjaftueshme', përmbledhja poetike që ka për objektiv qenien

Kultura November 04, 2019 - 10:53
Image

“Shënime të pamjaftueshme” titullohet përmbledhja poetike, të cilën shkrimtari i ri kosovar Imer Topanica e sjell para dashamirëve të fjalës së shkruar. Në një intervistë për “Zërin” shkrimtari, i cili ishte edhe finalist i çmimit letrar “Ismail Kadare”, flet për frymëzimin që e ka përcjellë gjatë shkrimit të këtij libri të ri, për tematikën e tij si dhe për influencat. Topanica, që duket se i është rrekur me përkushtim fushës së letërsisë, thotë se së shpejti para lexuesit do të prezantohet edhe me prozë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zëri: Pas përmbledhjes poetike “Tufë drite”, libri me titullin “Shënime të pamjaftueshme” është dhurata e dytë për lexuesit tuaj. Sipas jush, çfarë karakteristikash e dallojnë këtë të dytin nga i pari?

Nëse do të më duhej të përgjigjesha shkurt dhe shpejt do të thosha: ky libër ka më shumë faqe. Por ky nuk është një element që duhet vënë në dukje, apo jo? Një ndër karakteristikat dalluese, mbase është fryma më intime, më personale, më familjare që i karakterizon disa nga poezitë. Ka më shumë emra të përveçëm, ka më shumë komunikim poetik me disa poetë, ka mbase edhe shenja të intertekstit. Por mua nuk më takon të thellohem më tej në këtë aspekt. U mbetet të tjerëve ta hetojnë më me kujdes e nëse gjejnë kohë edhe të flasin a të shkruajnë për të.

Zëri: Përse keni zgjedhur ta titulloni “Shënime të pamjaftueshme”?

Le të themi se përpjekjet për ta studiuar qenien tonë, nga të gjitha këndet, nga të gjitha planet, nuk kanë shteruar. Ajo mbetet edhe më tej misteri më i madh i universit. Prandaj «shënimet» janë përherë të pamjaftueshme. Por poezia nuk është shkencë – do të mundë të kundërshtonit ju. Natyrisht që s’është, e megjithatë edhe ajo e ka për objektiv qenien. Ndryshe nga shkenca, ndryshe nga disiplinat e ndryshme shkencore ajo madje as nuk lodhet t’i vërtetojë hipotezat, të cilat nuk do të thotë që s’përmbajnë copëza të së vërtetës. Frikësohem që po lëshohem në interpretim, diçka që nuk do të mund t’ia lejoja vetes, por kjo është njëra nga mënyrat për ta kuptuar titullin. Fundja, siç thotë Umberto Eco, teksti letrar është një makinë e destinuar për t’u interpretuar e për t’u riinterpretuar. Shkurt, mund të them se vazhdimisht bëj përpjekje që të mos vendosi shenja pa i menduar mirë.

Zëri: Poezitë e kësaj përmbledhjeje i përshkon diskursi i dashurisë, por jo vetëm në raportin burrë-grua. Ju shkruani edhe për dashurinë në shumë dimensione të tjera. A e konsideroni dashurinë si temë të pandashme nga poezia dhe a është kjo tema që ju frymëzon më së shpeshti?

E po shpresoj të jetë i vetmi burim frymëzimi edhe më tutje. Lexuesit duhet ta dinë që dashuri,  në diskursin poetik kryesisht lindor, konceptohet si atribut i vet Zotit. Andaj të frymëzohesh nga dashuria, sipas këtij diskursi, do të thotë të frymëzohesh nga vetë Zoti.  Në letërsinë Al-Hamiade, por sidomos në poezinë sufiste, ky koncept është aq i pranishëm. Në letërsinë shqipe ka ardhur nëpërmjet të ashtuquajturës: Letërsi e bejtexhinjve. Në të vërtetë bëhet fjalë për traditën e shkrimit shqip, me alfabet arab... E pranoj, jam i ndikuar nga kjo traditë.  

Zëri: Zoti, qenia, pikëllimi e shenjta dhe gjaku... janë disa koncepte që i prekni me poezinë tuaj në këtë vëllim. Sa ishte i vështirë trajtimi i tyre përmes poezisë?

Po shihni, letërsia nuk rreket të japë përgjigje përfundimtare për gjërat. Ajo më shumë shtron dilema, më shumë shtron pyetje. Qasja e saj është një reflektim i shkurtër e i shpejtë mbi fenomenet, gjërat, peizazhin etj. Mua më duket se poezia më e mirë është ajo e shkruar me një stil të thjeshtë, e cila përveçqë është tërheqëse për t’u lexuar, shtyn lexuesit drejt meditimit. Nuk e di nëse kam arritur ta kultivoj deri në këtë nivel artin tim, por po e përsëris jam munduar.

Zëri: Me dorëshkrimin tuaj me titull “Lavdi marrëzive” ishit në mesin e dhjetë finalistëve të çmimit “Ismail Kadare 2019”, i cili ndahet në Shqipëri. A do ta shohë dritën e botimit së shpejti kjo vepër në prozë?

Pata bërë plane që të dy librat t’i publikoja brenda këtij viti, por s’paska qenë e shkruar. Shtëpia botuese “Armagedoni”, e cila e ka vlerësuar si të denjë dorëshkrimin për ta publikuar, nuk ka mundur të nënshkruajë kontratë deri vonë me Ministrinë e Kulturës, e cila është sponsorizuesja e librit. Të gjitha arsyet e zvarritjes, nuk i di as unë, por e di që për shkak të kësaj për dorëshkrimin e romanit duhet të ndryjë në sirtar edhe për pak muaj. 

Në shoqëritë e pazhvilluara sikurse është kjo jona nuk është privilegj të jesh shkrimtar, madje ndonjëherë më krijohet përshtypja se ne jemi komuniteti më i nëpërkëmbur e më i shpërfillur këtu e sa dekada. E këtu fajet nuk i kanë vetëm institucionet, por edhe vetë ne që identifikohemi me këtë profesion.  Zëri