Orani hap ekspozitë personale në Hamburg

Orani hap ekspozitë personale në Hamburg

Kultura October 31, 2019 - 09:19

Artisti kosovar Shuki Orani hap këtë të shtunë ekspozitën e tij të radhës personale në Gjermani. Orani ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se ekspozita e tij me titull “Homosapia in Transcendence” hapet më 2 nëntor, në orën 19:00, në atelienë e artistit në Hamburg të Gjermanisë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ekspozita ndahet në dy cikle, “Homosapia” dhe “Transcendence” dhe pikturat kanë madhësi 500 x 200 cm.  Ekspozita do të hapet nga historiania e artit Julia Eckhardt. Imazhet nga ciklet “Homosapia in Transcendence” tregojnë fazat e hulumtimit artistik në dy fusha në përzierje: nga njëra anë ekzistenca e njeriut, e vizualizuar në imazh si një formë, e lakuar, e stivosur, e mbivendosur, nga ana tjetër ngjyra e pastër, e cila në varësi të detyrës zhvillon një pavarësi dërrmuese dhe arrin pikën e mishërimit.

Ekspozita eksploron hapësirën dhe prek aftësinë e njerëzve për të aktivizuar emocionin, kuptimin dhe përvojën e ndërgjegjshme. Interesi artistik dhe shoqëror i Shuk Oranit është në procesin e vazhdueshëm të njohjes dhe të zhvillimit ose të shndërrimit të njerëzve, aftësinë e tyre për të perceptuar dhe tolerancën ndaj paqartësisë. Përbërjet me ngjyra si materializim i pashtershëm i diversitetit pjellor konsiderohen në veprën e tij si çelësi i inteligjencës mendore.

Shuk Orani është artist multimedial. Krijimtaria e tij ka në masë të madhe pikturën klasike, vaj mbi pëlhurë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punës së tij i takon edhe artit konceptual, artit në media alternative, si dhe atij digjital dhe vizatimeve në mediume të ndryshme. Shuk Orani në punën e tij tematizon lidhjet njerëzore të planetit tokë me galaktikat përreth, si dhe tërësinë universale të botës emocionale me jashtë. Temë tjetër është njeriu dhe elementet transcedentale që e përcjellin atë në jetë. Kjo e gjitha transmetohet përmes pikturave klasike të punuara në raste të veçanta edhe në elementin e  "Ekspresionizmit momental". Ndërsa portretet e kombinuara në abstrakten realiste kanë qëllim studimin e realitetit të përkohshëm; sekuenca të caktuara nga momentet e pakapshme, të cilat diferencojnë të bukurën e tejkaluar të kohës në të kaluarën. Zëri