Libri i javës - 'Arti i luftës' nga Sun Tzu

Libri i javës - 'Arti i luftës' nga Sun Tzu

Kultura October 21, 2019 - 10:33

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë në kuadër të rubrikës “Libri i javës” këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Arti i luftës”, nga Sun Tzu. Libri është botuar në shqip nga shtëpia botuese “Pema” dhe është përkthyer nga përkthyesi Elvi Sidheri.

Qëkur është botuar ky libër, rreth vitit 500 para Erës së Re dhe deri në ditët tona, “Arti i luftës” mbetet manuali më i mirë për të kuptuar konfliktin që nga niveli personal dhe deri në atë në shkallë ndërkombëtare, për të kuptuar parimet e tij dhe për të aplikuar strategjinë që t’i fitosh betejat pa luftë. “Mendohuni mirë dhe me maturi para se të bëni një lëvizje", "Mosbërja e gabimeve është ajo që themelon sigurinë e fitores", "Nuk ekziston asnjë shembull i ndonjë shteti që doli i fituar nga një luftë që zgjati shumë", "Të filloni me brohoritje luftën dhe më pas të trembeni nga fuqia e armikut, kjo tregon një mungesë të madhe informacionesh", "Zotësia më e madhe në luftë është të nënshtrosh armikun pa luftuar", si dhe "Qëllimi i luftës është paqja", janë disa nga mësimet që nxirren nga ky libër.

Konflikti është një pjesë e pashmangshme e jetës, sipas strategëve të lashtë kinezë, por çdo gjë është brenda nesh që të arrijmë marrëveshje për konfliktet rreth mençurisë, nderit, fitores etj. Ky libër është hartuar më shumë se dy mijë vjet më parë nga një luftëtar dhe filozof mistik. “Arti i luftës” është ende libri më prestigjioz dhe më me ndikim në strategjitë e luftës në botë dhe studiohet vazhdimisht në Azi nga politikanët dhe drejtuesit modernë, siç bënin dikur edhe udhëheqësit ushtarakë që nga kohërat e lashta.

Si një studim i anatomisë së organizatave në konflikt, “Arti i luftës” zbatohet te konkurrenca dhe te konflikti në përgjithësi, në çdo nivel, që nga konflikti ndërpersonal deri tek ai në nivel ndërkombëtar. Qëllimi i tij është pamposhtësia, fitorja pa betejë dhe forca e pakthyeshme përmes kuptimit të fizikës, të politikës dhe të psikologjisë së konfliktit. Data origjinale e botimit është rreth 500 p.e.s. Librin “Arti i luftës” mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë. Zëri