Libri i javës - 'Pika e kthesës' nga Malcolm Gladwell

Libri i javës - 'Pika e kthesës' nga Malcolm Gladwell

Kultura October 14, 2019 - 12:17

Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin “Pika e kthesës”, të autorit  Malcolm Gladwell. Libri është përkthyer në shqip nga Lira Sejdini dhe është botuar nga shtëpia botuese “Pema”.

Ne rekomandojmë për lexim këtë libër sepse “Pika e kthesës” është biografia e një ideje dhe ideja është shumë e thjeshtë. Është mënyra më e mirë për të kuptuar shfaqjen e tendencave të modës, baticën dhe zbaticën e valëve të krimit ose transformimin e librave të panjohur në bestsellerë, ose rritjen e pirjes së duhanit në adoleshencë, ose fenomenin e hapjes së lajmit gojë pas goje, ose çdo numër ndryshimesh të tjera misterioze që shënjojnë jetën tonë të përditshme, është t'i konsiderojmë ato si epidemike. Idetë dhe produktet, mesazhet dhe sjelljet përhapen siç përhapen edhe viruset.

Ky është një libër tej mase i vlefshëm për të kuptuar epidemitë sociale dhe si i tillë vlen shumë për të gjithë ata që punojnë kryesisht në botën e marketingut, të shitjeve, por edhe në politikë e më gjerë. Përmes shembujve praktikë që janë marrë nga shumë fusha analizohen me një mendjekthjelltësi këto histori aventurash intelektuale. Gjithmonë ka një moment kthese kur gjërat i marrim për mirë ose për keq, dhe kapjen e këtij momenti e rrëfen mjeshtërisht autori i këtij libri. Njohjet e thelluara në fushat e sociologjisë dhe të psikologjisë, përvoja si gazetar, por edhe mprehtësia në analiza e kanë shndërruar librin “Pika e kthesës” në një bestseller absolut kudo ku është botuar.

Kritikat për këtë libër kanë qenë që nga botimi kryesisht pozitive. “Daily Telegraph e ka cilësuar “Pikën e ktheses” si: “Një lexim i mrekullueshëm, një studim mahnitshëm i pazakontë për fenomenin pak të kuptueshëm të epidemisë sociale”. Kurse “Time out” ka konsideruar se "Si udhëzues biznesi ‘Pika e kthesës’ është vërtetë superior, i mbushur me teori të reja për shkencën e manipulimit”.

Librin “Pika e kthesës” të autorit  Malcolm Gladwell mund ta gjeni në pikat e librarisë “Buzuku” në Prishtinë dhe kushton 7 euro.