'Zona e pritjes' në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë

'Zona e pritjes' në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë

Kultura October 08, 2019 - 09:55

Shfaqja teatrore "Zona e pritjes” e teatrit “Migjeni” të Shkodrës ishte pjesëmarrëse në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Tetovë. E shkruar nga autorja kroate Marina Vujçiç “Zona e pritjes”, një komedi e zezë erdhi për publikun me regji nga Fatos Berisha. Më herët kjo vepër teatrore ishte premierë në Teatrin e Shkodrës, ndërsa këto net në Festivalin Teatror në Tetovë. Ngjarja që ndodh në një korridor të një ambulance vjen përmes notave humoreske, ku me lojën e aktorëve në teatër përcillen probleme të shumta sociale, të cilat lidhen edhe me aktualitetin në vendin tonë, por jo vetëm, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në role janë: Nikolin Ferketa, Rita Gjeka, Linda Jarani, Jozef Shiroka, Kristi Lleshi, Simon Shkreli, Nensi Bakalli, Merita Smaja dhe Oliver Ymeri. Në komedinë e zezë "Zona e pritjes” të gjithë presin për të hyrë te doktori. Por ama kur i vjen radha për t’u futur të gjithë nxjerrin nga një justifikim për ta shtyrë këtë takim. Kemi një zonjë në moshë, e cila përzihet duke u përfshirë në çdo bisedë ose hall që këto personazhe kanë, duke ndërhyrë në hallin e çdo personi sa arrin të bëhet shqetësim për të gjithë ata që presin.

Personazhi i djalit të ri, i cili hiqet si shkrimtar, por në të vërtetë ai është një endacak, i cili shkon në zona të ndryshme të pritjes thjesht për t’u ngrohur, sepse nuk ka ku shkon. Ai është një person i vetmuar, babai i tij marinar anijesh ka vdekur dhe gruaja e ka braktisur. Pjesë e komedisë së zezë është dhe një aktore filmash, një djalosh i cili është i dëshpëruar dhe ai sëmuret vetëm nëse doktori i thotë që je mirë me shëndet, sepse është i fiksuar se ka një sëmundje.

Kemi një çift bashkëshortësh, të cilët grinden gjatë gjithë kohës dhe bashkëjetesa e tyre është në fije të perit, pasi burri e ka gënjyer që është i paralizuar për tre vjet. Një vajzë, e cila është e sëmurë është në personazhet e veprës e nuk mund të mungonte edhe infermierja, e cila është e rreptë, si dhe endacaku. Çdo personazh është unik në llojin e vet. Ata gjatë pritjes për te mjeku dialogojnë me njëri-tjetrin, ku këta dialogë kthehen në komedi për spektatorin, por thellë brenda vetes së tyre kanë histori dramatike. Zëri