'Festari' i Suharekës, sivjet me program të pasur

'Festari' i Suharekës, sivjet me program të pasur

Kultura shtator 18, 2019 - 13:26

Nga data 23 shtator në Suharekë fillon Festivali i Kulturës dhe i Verës, i njohur me emrin “Festari”. Festivali organizohet për çdo vit dhe këtë vit mbahet edicioni i 18-të, që është festë e të rinjve dhe e vjeljes së rrushit. Ky festival është festë e rinisë, ngase bartës të projektit janë të rinjtë e kësaj komune, ndërsa “Festari” nga suharekasit cilësohet edhe si festë e artë, sepse gjatë kësaj feste krijohen vlera të reja shpirtërore, humane, artistike e sportive.

Këtë vit “Festar” vjen me një program të pasur dhe gjithëpërfshirës. Ky festival tashmë është tradicional dhe realizohet në javën e fundit të muajit shtator. Rrushi dhe përpunimi i verës është karakteristikë mijëvjeçare e trevës së Suharekës, andaj edhe “Festari” përkon me gëzimin e vjeljes së rrushit dhe të përpunimit të verës. Festivali i kulturës dhe i verës “Festari” do të nisë më 23 shtatori dhe do të përfundojë më 29 shtator 2019.

Në ditën e parë të këtij festivali, më 23 shtator, pas pritjes së mysafirëve do të hapet ekspozita filatelike e pullave postare me figurën e shenjtërores Nënë Terezë. Aktivitetet do të vazhdojnë më 24 shtator, kur është paraparë një takim i artistëve me kryetarin e Komunës së Suharekës. Po atë ditë do të bëhet edhe dhurimi i gjakut, si dhe një aktivitet për dhurimin e grumbullimin e librave. Ditën e tretë të festivalit, më 25 shtator, do të mbahet kolonia ndërkombëtare e artit. Atë ditë do të ketë edhe aktivitete sportive nga persona me nevoja të veçanta.  Të enjten, më 26 shtator vazhdon kolonia e artit, si dhe do të mbahet koncerti për fëmijë “Festari i Fëmijëve”. Gjithashtu po këtë ditë do të mbahet edhe një orë letrare. Të premten, ditën e pestë të festivalit do të bëhet parakalimi nga Komuna e Suharekës deri te Muzeu i Qytetit, ku do të hapet ekspozita me prodhime bujqësore. Po këtë ditë do të bëhet edhe degustimi i verës, si dhe vjelja e rrushit. Ditën e gjashtë të “Festarit” do të mbahet një gala mbrëmje dhe një ekspozitë artistike. “Festari” do të përfundojë të dielën me aktivitete sportive, që përfshijnë taekwondo e ngjitje në mal.