Shtëpitë e kulturës mbajnë gjallë artin në komunat e vogla
Për shume vite shtëpitë e kulturës në Kosovë kanë qenë adresa ku janë zhvilluar të gjitha aktivitetet kulturore e artistike, sidomos në komunat e vogla. Misioni i tyre ishte t’i shërbejnë zhvillimit të kulturës nëpërmjet artistëve e institucioneve tjera të kulturës. Ngjashëm është edhe sot, edhe pse në Kosovë ka komuna ku shtëpitë e kulturës janë vetëm si objekte, pa qenë shumë funksionale. Prapëseprapë për disa komuna të vogla ato vazhdojnë të mbesin e vetmja dritare e kulturës. Gazeta “Zëri” ka kontaktuar disa prej komunave kryesore për të parë se cila është gjendja e këtyre shtëpive dhe përveç tyre çfarë hapësira tjera opsionale ka komuniteti artistik i secilës prej tyre.
Qendra e Kulturës në Mitrovicë ka mangësi, kërkohet rinovimi
Qendra e kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë është funksionale që nga viti 1984, organizon aktivitete kryesisht kulturore-edukative dhe financohet nga DKRS-ja.
Gani Baliu, zyrtar për Kulturë në këtë Komunë, thotë për “Zërin” se kjo Shtëpi e Kulturës ka mangësi dhe se do të duhej të ishte një shtëpi e kulturës e mirëfilltë, që realizon program të plotë në gjithë kuptimin e fjalës. Sipas tij, kjo shtëpi do të duhej të fuqizohej edhe në aspektin fizik, pra duhet të rinovohet. “Aktualisht aty është e vendosur edhe Qendra për Trashëgimi Kulturore, Galeria e Arteve, Teatri dhe hapësirat që janë të shfrytëzueshme pothuajse nga të gjitha organizatat joqeveritare. Ka aktivitete që zhvillohen aty. Menaxhohet nga Komuna e Mitrovicës. Ka nevojë që kjo shtëpi të fuqizohet edhe më shumë”, u shpreh Baliu.
Në Kamenicë investohen 375 mijë euro për Shtëpinë e Kulturës
Arianit Ibrahimi, udhëheqës i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Kamenicës, ka konfirmuar për “Zërin” se këtë vit kanë fituar një grant nga Qeveria e Kosovës në raport me Shtëpinë e Kulturës. Sipas Ibrahimit, po mendohet që përbrenda Shtëpisë së Kulturës të kenë edhe qendrën rinore. Fondi për ta realizuar këtë plan sillet prej 375 mijë eurove. “Vlera është 75 mijë euro që e kemi shkruar dhe nënshkruar për atë memorandum. Është një vlerë tjetër prej 300 mijë eurove që e kemi fituar nga Qeveria dhe e gjitha financohet nga MRKS-ja, po i bie në total 375 mijë euro, të cilat do të hyjnë këtë vit në investime kapitale. Për vetë faktin që i kemi adresuar këto kërkesa, janë pranuar dhe po i zbatojmë si investime, normalisht që do të ketë ndikim në zhvillimin e kulturës dhe të aktiviteteve të ndryshme”, u shpreh ai.
Ibrahimi e vë në pikëpyetje funksionalitetin e shtëpisë së kulturës “Isa Kastrati” për momentin. Ai thotë se Shtëpia e Kulturës e kësaj komune është funksionale (në thonjëza), por sipas tij janë disa sektorë që funksionojnë dhe disa kanë nevojë shumë për rinovim.
Ibrahimi njofton se kjo shtëpi kulture organizon ekspozita, shfaqje teatrale, të cilat janë të kufizuara për shkak të ndriçimit jo të mjaftueshëm dhe joprofesional, koncerte, tubime, si dhe përbrenda saj ka bibliotekën e arkivin historik po ashtu. “Edhe salla tjera për aktivitete të ndryshme, të cilat janë në gjendje të rëndë. Pra për nga infrastruktura është shumë e vjetruar. Prej paraluftës asnjëherë nuk është ndërhyrë në Shtëpi të Kulturës. Qysh është ndërtuar, ashtu e gëzojmë faktin edhe sot ta kemi, që nga viti 1994”, thekson Ibrahimi.
Pas rrënimit, Vushtrria me qendër të re kulture
Viti 2018 shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri e ka gjetur me vendimin për rrënimin e pjesshëm të saj. Përderisa u konsiderua si një nga objektet më me vlerë të Vushtrrisë, lajmi për rrënimin bëri bujë mediatike.
Kryetari i Komunës, Xhafer Tahiri, është arsyetuar se projektin e kishte gjetur në tavolinë, pasi ishte zgjedhur në postin e të parit të Komunës. Kësisoj shtëpia e kulturës “Hasan Prishtina” u rrënua e gjitha dhe në lokacionin e njëjtë është duke u ndërtuar një shtëpi e re kulture.
Fatmire Cecelia, drejtoreshë për Kulturë në Komunën e Vushtrrisë, ka konfirmuar lajmin se Vushtrria ka Qendër të Kulturës ku zhvillohen aktivitetet e ndryshme kulturo-artistike, por që për momentin është duke u ndërtuar. “Për momentin Shtëpia ose Qendra e Kulturës është duke u ndërtuar, ngase objekti i vjetër është rrënuar dhe në të njëjtin lokacion është duke u ndërtuar objekti i ri”, u shpreh ajo.
Shtëpia ose Qendra e Kulturës në Vushtrri është e emërtuar “Hasan Prishtina”. Është hapur në vitet e ’70-ta të shekullit të kaluar. “Meqenëse është në ndërtim objekti i ri, përkohësisht stafi punonjës është zhvendosur në qendrën rinore ‘Naxhije dhe Fahri Buçinca’. Ndërkaq biblioteka e qytetit ‘Naim Frashëri’ është e vendosur në ish-objektin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Vushtrri”, shprehet ajo për “Zërin”.
Më tutje, sipas drejtoreshës për Kulturë, Shtëpia e Kulturës realizon aktivitete të ndryshme kulturo-artistike, si koncerte, drama e komedi nga Teatrit i qytetit, pastaj promovime të librave, akademi përkujtimore me rastin e festave të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.
Shtëpia ose Qendra e Kulturës menaxhohet nga drejtori i Shtëpisë ose i Qendrës dhe mbikëqyret nga DKRS-ja. Nga Cecelia mësohet se financimi kryesisht bëhet nga mjetet buxhetore të Komunës, si dhe nga donacione e subvencione të tjera të lejuara me ligj.
E pyetur për fuqizimin e Qendrës për Kulturë, Cecelia deklaron se kjo shtëpi ka nevojë të fuqizohet edhe më shumë, ngase sipas saj si të rinjtë, ashtu edhe kategoritë e tjera, përmes Qendrës së Kulturës mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme kulturore, rinore, sportive e edukative.
Peja me shtëpi kulture funksionale që nga vitet e ’60-ta
Shtëpia e Kulturës konsiderohet pasuri publike e Komunës së Pejës dhe daton që nga viti 1960 si objekt i kulturës, që është në funksion të artit po ashtu.
Sipas Aver Husajt, shef i kulturës ne Drejtorinë e Kulturës në këtë Komunë, në këtë Shtëpi Kulture zhvillohen aktivitete të ndryshme. “Shtëpia e Kulturës në Pejë është e viteve të ’60-ta, në kuadër të saj si objekt funksionon Galeria, Administrata e Drejtorisë së Kulturës, Biblioteka e radioja ‘Peja’. Kryesisht zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të institucioneve të lartpërmendura. Po ashtu kemi dhe Shtëpinë e Kulturës në Vitomericë, që është shumë aktive në zhvillimin e programeve të ndryshme kulturore”, u shpreh Husaj.
Pavarësisht asaj që Husaj thotë se kjo Shtëpi Kulture është e plotësuar me të gjitha kushtet e nevojshme, ai përmend edhe faktin se Pejës i nevojitet një sallë koncertale që po ashtu të jetë në kuadër të Shtëpisë së Kulturës. I pyetur nëse është i nevojshëm fuqizimi qoftë edhe në aspektin e infrastrukturës, Husaj thekson se “kurrë nuk është boll që të investohet në kulturë”. “Normal, kurrë nuk është boll. Jemi duke e bërë planin zhvillimor komunal që në kuadër të Shtëpisë së Kulturës të jetë edhe salla koncertale, presim që në një afat të shkurtër ta kemi edhe atë”, vlerëson Husaj.
Kur flet për aktivitetet kulturore, Husaj vlerëson se në Kosovë primatin e ka Peja si qendër kulturore dhe sipas tij si kryeqytet të kulturës duhet ta marrim Pejën. “Si kryeqytet kulture duhet ta marrim Pejën. Kemi njërën ndër galeritë më të mira në Kosovë. Edhe Teatri edhe Kinoteatri nuk i përmbushin kriteret e një Peje me kaq banorë”, tha ai.
Shtëpia e Kulturës në Viti, më fatlumja
Shtëpia e kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Komunën e Vitisë, për dallim nga komunat e tjera, të cilat kanë konfirmuar për “Zërin” se punojnë në kushte të vështira, së fundi ka pasur fatin të fitojë një donacion për renovimin e saj. Ky donacion është mirëpritur nga zyrtarët e Komunës, kurse sipas Milot Lalës, drejtorit të Kulturës në Viti, falë këtij projekti kjo shtëpi do të jetë më e përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve, por edhe për shfrytëzim.
Më shumë detaje se si funksionin kjo shtëpi gazetës i ka dhënë Emrush Azemi, zyrtar për Rini dhe Sport. “Vitia ka një Shtëpi Kulture që është shumë funksionale, edhe atë që nga viti 1982 dhe është identike me Kamenicën, Kaçanikun, Skenderajn dhe kjo jona është në renovim si donacion i dhënë nga Komisioni Evropian, Komuna e Ministria. Punët më të mëdha janë kryer, kulmi e fasada janë kryer dhe është duke u shtruar jashtë komplet plateja”, u shpreh Azemi.
Ai më tutje për “Zërin” ka folur në detaje për aktivitetet që realizon kjo Shtëpi Kulture. Sipas tij, në kuadër të Shtëpisë së Kulturës realizohen shumë aktivitete dhe në kuadër të saj është edhe Salla e Kuvendit, Kinosalla, me 520 ulëse, një seri e madhe zyrash për aktivitete klubesh sportive, shoqata kulturo-artistike dhe bibliotekën për të rritur dhe për fëmijë. Azemi thotë se kjo Shtëpi Kulture ka kapacitet për të zhvilluar aktivitete të veprimtarive kulturore. “Ka kapacitete të mjaftueshme për të gjitha veprimtaritë kulturore, rinore. Zyrat i posedojnë secila veprimtari dhe i plotësojnë kushtet ideale për organizime të ndryshme”, tha ai.
Sipas Azemit, qytetarët e komunës së Vitisë e respektojnë këtë institucion dhe çdo aktivitet kulturor e multikulturor që organizohet. Kur flet për numrin e aktiviteteve, Azemi njofton se 20 deri në 30 ekspozita në vit mbahen në fushën e artit pamor. “Është një gamë bajagi e gjerë e aktiviteteve kulturore që mbahen në kuadër të Shtëpisë së Kulturës. E gjithë veprimtaria është e konsideruar brenda objektit që i plotëson kushtet.
Deri tash është bërë mjaftueshëm nga kërkesat të cilat i kemi pasur dhe e fundit që kemi kërkuar është Amfiteatri Veror brenda, vetë objekti e ka një konstrukt që objekti veror mundet të bëhet jashtë, ngase mund të organizohen edhe festivale të ndryshme kur është koha e mirë. Pra sezonin veror ta mbajmë jashtë, që ndikon në cilësi dhe në një pjesëmarrje të qytetarëve”, u shpreh Azemi.
Rikujtojmë se së fundi, në vitin 2019, u përurua shtëpia e kulturës “Xhavit Haziri” në qytetin e Obiliqit, projekt ky i financuar nga MRKS-ja. Kjo shtëpi u përurua në Ditën e Çlirimit të komunës së Obiliqit, në një ceremoni festive me shumë aktivitete kulturore është përuruar Pallati i Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti. ZERI