
Libri i javës – 'Mendo dhe pasurohu' nga Napoleon Hill
Redaksia e gazetës “Zëri” së bashku me librarinë “Buzuku” në Prishtinë, në kuadër të rubrikës “Libri i javës”, këtë të hënë jua rekomandojnë për lexim librin "Mendo dhe pasurohu", nga Napoleon Hill. Ky botim, që e gjeni te “Buzuku”, dallon nga botimet e mëparshme për faktin se është i plotësuar me shembujt e disa prej njerëzve më të suksesshëm të epokës sonë, të cilët e njohin dhe e përdorin sekretin e Napoleon Hill.
"Mendo dhe pasurohu", i autorit shumë të njohur amerikan Napoleon Hill, është libri që ka ndihmuar shumë njerëz të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre.
Libri është një shtysë e shkëlqyer motivuese për zhvillimin e intelektit personal. Autori shpjegon se filozofia që mësohet në libër mund të përdoret për t’i ndihmuar njerëzit të kenë sukses në të gjitha fushat dhe të bëjnë ose të arrijnë të jenë pothuajse çdo gjë që duan.
Hilli studioi karakteristikat e këtyre njerëzve të suksesshëm dhe zbuloi gjashtëmbëdhjetë “ligjet” që duhen zbatuar nga njerëzit për të arritur suksesin në jetë. “Mendo dhe pasurohu” i ka përmbledhur këto ligje në trembëdhjetë parime, në formën e një filozofie personale. Drejtuesi ndërkombëtar Mark Victor Hansen thotë se koha ka provuar që dy prej këtyre parimeve janë jashtëzakonisht të rëndësishme: 1) Parimi i mendjes mjeshtërore dhe 2) Ta kesh të qartë se ku do të mbërrish.
Në kuadër të studimit që kishte marrë përsipër, Hilli angazhoi njerëzit më të njohur të kohës në botën perëndimore, si: Thomas Edison, Alexander Graham Bell, George Eastman, Henry Ford, Elmer Gates, John D. Rockefeller, Charles M. Schwab, F. W. Woolworth, William Wrigley Jr., John Wanamaker, William Jennings, Theodore Roosevelt, William H. Taft, Woodrow Wilson dhe Jennings Radolph. Projekti i ndërmarrë zgjati më se 20 vjet. Pas një periudhe katërvjeçare si këshilltar i presidentit Franklin D. Roosevelt, u botua vepra më e njohur e Hillit “Mendo dhe pasurohu”, një ndër librat më të kërkuar në botë. Sipas revistës “Forbes” (mars 2011), ky libër është shitur në më shumë se 70 milionë kopje që prej botimit të tij të parë dhe vazhdon të shitet vrullshëm edhe sot. Zëri